Lajmet e fundit
Janë liruar të akuzuarit për aferën e armëve të Policisë së Kosovës. Aktakuza është hedhur poshtë, për shkak se prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit.

Tre zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe dy biznesmenë janë liruar nga akuzat për krim të organizuar, furnizim, transport dhe shitje të pautorizuar të armëve.
KALLXO.com ka siguruar një kopje të vendimit të Gjykatës së Prishtinës me të cilin është hedhur poshtë aktakuza ndaj nënkolonelit të policisë Ragip Bunjaku, ish-shefes së prokurimit të policisë Xhevahire Vatovcit, ish-shefit të Divizionit të Armëve në MPB Kadrush Koliqit dhe biznesmenëve Armend Selimi e Astrit Pira.
Aktakuza është hedhur poshtë për shkak se prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit.
Në tetor të vitit 2011 Policia e EULEX-it me autorizimin e ish-kryeprokurores Izabela Marnak kishte kryer bastisje në lokalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës me pretendimet se gjatë tenderit për importin e armëve dhe municioneve për Policinë e Kosovës kishte pasur keqpërdorime.
Atëkohë EULEX-i kishte njoftuar se dëmet në buxhetin e Kosovës nga këto keqpërdorime mund të ishin të mëdha.
Avokati i eprorit të policisë ka paralajmëruar se së bashku me klientin e tij janë duke menduar që të nisin procedura ligjore me të cilat do kërkojnë llogari për dëmtimin e imazhit.