Lajmet e fundit

Pas dështimit të puçit ushtarak më 15 korrik, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka filluar një fushatë spastrimi në Turqi, jo vetëm kundër puçistëve, por edhe institucioneve të tjera arsimore, që janë të lidhura me lëvizjen Gylen. Në këtë kuadër ka pasur njoftime se janë kërkuar edhe mbyllje të shkollave Gylen në Ballkan.
Ministria e Arsimit e Kosovës ka reaguar pas zërave se ka kërkesa për mbylljen e shkollave turke në Kosovë. Kushtrim Shkodra, drejtuesi i kabinetit dhe këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami shprehet për Deutsche Wellen se Kosova nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare për mbylljen e shkollave turke.
"Shkollat private turke, dhe ato të tjera janë të liçensuara nga Ministria e Arsimit në kuadër të ligjeve të Kosovës. Ne bëjmë inspektime të herëpashershme dhe nuk kemi verifikuar asnjë shkelje ligjore. Nuk kemi ankesa as për këtë dhe as nga prindërit për këto shkolla", thotë Kushtrim Shkodra duke thënë se nuk do të ketë mbyllje të shkollave turke në Kosovë dhe as të shkollave të tjera private. Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me Turqinë në aspektin arsimor, ka theksuar edhe ministri Bajrami.