Lajmet e fundit

Ka disa muaj që është paralajmëruar se do të ketë riformatim të Qeverisë që drejtohet nga Kryeministri Isa Mustafën.
Partnerët e koalicionit PDK-LDK ende nuk janë ulur për të biseduar këtë çështje, pavarësisht njoftimeve se do të bëhet një gjë e tillë, njofton Klan Kosova.
Klan Kosova ka kontaktuar për këtë në Qeveri, si dhe dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit, PDK dhe LDK.
Faton Abdullahu që është këshilltar politik i Kryeministrit Mustafa, ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë zhvillim konkret në këtë aspekt – Formatimin e Qeverisë.
“Thjeshtë nuk ka ndryshime”, ka thënë Abdullahu.
“Çështja në fjalë nuk është prioritet pa të cilën nuk mund të vazhdohet tutje me do e mos.”
Ai ka thënë se kjo nuk do të thotë që nuk do të monitorohen ndërkohë performancat në dikastere brenda Qeverisë.
“Nëse do të ketë ndryshme ato do të bëhen në bashkëpunim dhe koordinim me të gjithë partnerët e koalicionit."
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë për Klan Kosova se kjo nuk është diskutuar konkretisht përbrenda partnerëve të koalicionit.
Kurse nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të bëhet riformatim.
“Partnerët e koalicionit janë duke bërë punën e tyre mjaftë mirë deri tash, prej kur janë në qeverisje.”
“Mund të bëhen rishikime nëpër ministri, në mënyrë që të bëhen plotësime por nuk do ta quaja këtë riformatim.”
“Për këtë duhet të ulen kryetarët e dy partive, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli që të bisedojnë për këtë dhe nëse shohin se do të jetë mirë të sjellën emra të rinj, kjo mund të bëhet.”
Rugova ka thënë se Mustafa ka përkrahjen e plotë të strukturave të LDK-së dhe besimin e plotë për të vendosur për ndryshime.
“Mustafa është kompetent. Por konsideroj se deri këtu ai ka sjell rezultate pozitive me këtë përbërje qeveritare, dhe nuk besoj se do të duhet të ketë ndryshime”, ka thënë Rugova.