Lajmet e fundit

Situata epidemiologjike, me ethet hemorragjike krime kongo (EHKK) është në kontroll.
Me ngritjen e temperaturave kanë filluar të shtohen thumbimet nga rriqrat, ndërsa javën e ardhshme pritet të fillojë edhe dezinsektimi selektiv, kundër rriqrave.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, në kuadër të raportimeve të drejtorive, para kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha tha “se numri i rasteve të thumbuar nga rriqrat, po shtohet për shkak të rritjes së temperaturave, por në krahasim me vitin e kaluar, ky numër është dukshëm më i vogël, ndërsa asnjë rast nuk është i regjistruar me EHKK dhe kjo është një gjë e mirë”.
Berisha, bëri të ditur se numri i të thumbuarve nga rriqrat ka arritur në 205 raste të regjistruara në QKMF të Malishevë.
Fushata e dezinsektimit apo spërkatja selektive e zonave endemike, pritet të fillojë në javën e ardhshme.