Studiuesi Jamis Pozuelo-Monfort ka shkruar një tekst të gjatë në bllogun e tij në prestigjiozen Huffington Post për Shqipërinë dhe sfidat me të cilat përballët shteti shqiptar.
Ai në këtë analizë konstaton se sistemi në Shqipëri ka dështuar dhe shumë gjëra tani janë edhe më keq, ose shumë më keq se sa ishin në kohën e komunizmit në Shqipëri, nën regjimin e Enver Hoxhës.
Klan Kosova iu sjellë pjesën kryesore të shkrimit të Jamis Pozuelo-Monfort.
“Prej se jam në Shqipëri kam takuar rreth 100 personalitete, më të rëndësishmet e vendit, duke përfshirë këtu; ministra, zëvendësministra, deputetë, presidentët dhe drejtuesit e kompanive më të mëdha në vend, rektorë universitetesh, zëvendësrektorë, dekanë dhe profesorë, udhëheqës të OJQ-ve dhe sekretarë ekzekutivë, ambasadorë dhe konsuj nderi, drejtorë fondacionesh, shkrimtarë, piktorë, drejtorë teatrosh e operash, kryetarë komunash, aktorë, filmbërës, gazetarë, reporterë, presidentë e drejtues shoqatash dhe shumë intelektualë. Në fakt, sfidoj këto që të gjejë dikë tjetër, i cili në më pak se tre muaj ka takuar kaq shumë autoritete relevante”.
“Shumë veta po më pyesin se cili është mendimi im për këtë republikë ballkanase, këtë vend të vogël e dinamik. Diagnoza ime është brutale: sistemi ka dështuar në Shqipëri. Diagnoza ime nuk është personale, nuk më takon mua, por vjen nga ato 100 personalitete relevante që unë i kam takuar deri tash”.
“Misionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar zgjasin shumë pak, përfundojnë brenda ditësh. Por, të kuptohet realiteti i një vendi duhet më shumë. Nevojiten rrethanat e përshtatshme dhe një strategji vrojtimi me kohëzgjatje prej muajsh”.
“E kam të vështirë ta konstatoj kaq lehtësisht opinionin tim dhe të jem i sinqertë deri në brutalitet. Por më duhet. Ndryshe nuk do të isha duke vepruar përkitazi me normën morale dhe kodin etik i cili ka për qëllim final, ta ndihmojë të ardhmen e vendit. Duhet të jemi të sinqertë me dobësitë tona edhe kur sinqeriteti tregon konstatim brutal e të dhimbshëm, dhe të identifikojmë arsyet përse institucionet dhe politikat që ato prodhojnë janë në këtë gjendje. Pastaj duhet të dizajnojmë zgjidhje potenciale, të cilat me vizion, guxim, disiplinë, lidership dhe vendosmëri duhet të implementohen për hir të shqiptarëve”.
“Këtu nuk do të përmendi të meta specifike të sistemit, atë do ta lë për një analizë të mëvonshme. Këtu do të doja të fokusohem në atë se përse sistemi ka dështuar në këtë republikë të vogël ballkanike pas vetëm 25 vjetëve të reformave të improvizuara dhe kuazi-reformave kaotike, të cilat, shpesh, janë udhëhequr dhe imponuar nga ndërkombëtarët”.
“Në vitin 1991 Shqipëria la prapa sistemin komunistë më të mbyllur dhe shtrënguar në botë, të udhëhequr nga Enver Hoxha, deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Por, shumë fusha në atë regjim punonin më mirë sesa tash. Ekonomia e tregut dhe demokracia kanë krijuar një kaos dhe korrupsion në këtë vend të ri e dinamik. Për shembull, disa institucione si transporti publik, sistemi i edukimit – në të tria nivelet, fillorë i mesë dhe universitar – kanë punuar shumë më mirë gjatë regjimit komunist. Edhe kultura madje, ishte shumë më e financuar dhe shoqëria jetonte me një nivel zero të korrupsionit”.
“Gjithsesi askush nuk e vë në pikëpyetje nevojën dhe domosdoshmërinë e ngritjes së një sistemi të mirë-ndërtuar të ekonomisë së tregut në një demokraci të formësuar e të shtrirë. Por, ky nuk është rasti me Shqipërinë e sotme, ku nevoja për vendosjen e politikave radikale është e dukshme dhe imediate”.
“Shumë nga njerëzit elitarë në Shqipëri të cilët mund ta kenë lexuar analizën time e që unë i njohë, do të befasohen shumë, ndoshta edhe do të tronditën nga brutaliteti dhe qartësia e fjalëve të mija. Por, mos u befasoni. Merreni si paralajmërim. Këto nuk janë fjalët e mija. Këto fjalë, këto qëndrime që po i shpalosë këtu u takojnë gojëve me të cilat unë kam biseduar në zyrat më të rëndësishme të këtij shteti. Nuk ka hapësirë për optimizëm. Situata është më të vërtetë e rëndë. Shqiptarët duhet ta ndryshojnë kursin e kësaj rruge, për ta ndryshuar rrjedhën e historisë në tërësi. Vendi mund të vazhdojë të lëvizë si një vagon me avull, apo të bëhet një tren super i shpejt. Keni kujdes, në të dyja skenarët lëvizjet përpara bëhen, dhe ka perceptim progresi. Por elitave aktuale u mungojnë njohuritë dhe teknologjia për të përshpejtuar ndryshimet që përmirësimi të jetë i dukshëm”.
“Shqipëria sot është një vend i udhëhequr nga një mori partish politike të përbëra kryesisht nga politikanë mediokër. Si gjithmonë, përjashtime ka edhe këtu”.
“Nepotizmi/familjarizimi është rregulli numër një në administratën publike të vendit, ku lidhjet, lekët ose trafiku i influencës përcakton se kush është i punësuar dhe kush i përjashtuar, përfshirë këtu nivelet më të larta si, ministritë, komunat, Bankën Qendrore, spitalet publike, shkollat dhe universitetet”.
“Mungesa totale e meritokracisë shtynë çdo kë për të “thirrur një shokë” ose dikë të njohur që të ‘rehatojë’ djalin ose vajzën në administratën publike”.
“Magnatët e kompanive të mëdha kanë një kontroll të hatashëm në mediat e vendit, të cilat, në stilin e televizioneve perëndimore, emetojnë një bërllok-program që transmeton emisione argëtuese të mbushura me irelevancë totale dhe sharlatanizëm politik, gjëra këto të cilat janë pak të rëndësishme krahasuar me problemet që ballafaqohet vendi dhe bota”.
“Pavullnetin e tyre, por padyshim qytetarët shndërrohen në viktima orvelliane të vëllait të madh”.
“Shqipëria sot është një vend ku korrupsioni është prezent në secilin nivel shoqëror, nga individët tek grupet, nga më të varfëritë tek më të pasurit. Secili, pa përjashtim, provon të gjejë një ‘rrugë më të shkurtër’, për ta siguruar një avantazh të padrejtë duke shfrytëzuar sistemin më shumë e më rëndë që mundet”.
“Presioni i prindërve në shkolla i detyron mësuesit dhe profesorët të japin nota me inflacion. Fryrje të tmerrshme, njohuri të pakta”.
“Parlamentarë të ndryshëm janë pronarë të universiteteve private, ku kualiteti është shumë i ulët dhe shiten diploma, të cilat nuk do të jenë në gjendje të shfrytëzohen kurrë dhe me paratë e fituar nga diplomat e shituar financojnë shkollimin e fëmijëve të tyre në universitete në rajon dhe më gjerë”.
“Papunësia e madhe e të rinjve dhe ekonomia informale sfidon aftësinë e shtetit për të rritur taksat me politika adekuate”.
“Ata që jetojnë në zona periferike të vendit, kryesisht rurale, migrojnë në kryeqytet në kërkim të një jete më të mirë, të cilën sigurisht se nuk e gjejnë. Këta që veç janë të lindur në Tiranë, që e kuptojnë mungesën e perspektivës në vend, zgjedhin të migrojnë jashtë tij, në vende të tjera, ku zakonisht gjejnë punë sa për të thënë, dika nëpër sektorët e shërbimeve. Në të njëjtën kohë politikanët tregojnë se si duhet të jetë shoqëria e pashembullt. Këtu nuk ka një model për t’u ndjekur dhe për t’u inspiruar me të”.
Jamis Pozuelo-Monfort përpos kritikave që përbëjnë pjesë më të madhe të shkrimit, në fund flet edhe për zgjidhjet potencial dhe ndryshimet që duhet t’i bëjë vendi.
“Shqipëria duhet ta ndryshojë kursin e qeverisjes dhe lidershipit në mënyrë që ta ndryshojë rrjedhën e historisë. Shteti duhet të zhvillojë bashkëpunim të madh me fqinjët e tij, përfshirë këtu Kosovën, e duke mos lënë anash Maqedoninë dhe Serbinë. Nga një treg i madh e i zgjeruar duhet të përfitojë çdokush në Ballkan”.
“Intelektualët dhe protagonistët e shtetit duhet ta marrin seriozisht thirrjen time dhe t’iu bashkohen përpjekjeve tona për të iniciuar një post-politikë si një paradigmë alternative për qeverisje. Ata që s’janë të aftë dhe të korruptuarit, ose duhet të dorëhiqen ose duhet t’i nënshtrohen ndryshimit radikal. Interesi i përgjithshëm duhet t’i japë prioritet interesit individual, derisa Shqipëria të arrijë një nivel të prosperitetit përtej atij që ka sot”.
“Analiza ime është e përpiluar me kujdes, korrekte dhe e drejtë. Ajo është një narracion i drejtpërdrejtë dhe deskriptiv, i pjesës kryesore të opinioneve që i kam inkorporuar nga rreth njëqind personalitete që kam takuar për një vjet. Kushdo që dëshiron të më sfidojë duhet të konfrontohet edhe me protagonistët shqiptarë të cilët më kanë uruar mirëseardhje në republikën më miqësore të Europës. Ndjehem i sigurt dhe rehat me analizën time. Statistikisht s’mund të jem gabuar ose të jem treguar i anshëm pas qindra orëve që kam kaluar duke diskutuar me vizionarët më të mëdhenj të vendit”.
“Po flas me ju o shqiptarë. Ka ende kohë që ta ridrejtojmë rrugëtimin tonë drejt të ardhmes më të mirë të mundshme. Duhet të jeni të guximshëm dhe trima. Së bashku mund ta bëjmë këtë rrugëtim me ndihmën e ekspertëve ëndërrimtarë. Republika më miqësore e më e bukur e Europës mund ta arrijë ëndrrën, por jo me lojtarët aktualë”.
Jamis Pozuelo-Monfort është një shkollar me grada shkencore në shumë fusha studimi.
Ai ka studiuar për Inxhinierinë e Telekomunikacionit (Politecnica de Madrid, Télécom ParisTech dhe Universität Stuttgart), Administrim Biznesi (Collège des INGENIEURS), Analiza Financiare (Carlos III), Inxhinieri Financiare (Kaliforni-Berkeley), Zhvillimi Ekonomik (London School of Economics), Administratë Publike (Columbia), E Drejta Ndërkombëtare (Georgetown-në progres) dhe Studime fetare (Universitetin e Çikagos).
Ai ka punuar në sektorin e teknologjisë në Madrid, Paris dhe Shtutgart dhe në industrinë financiare në Nju Jork dhe Londër.
Ai është autor i “The Monfort Plan” dhe për momentin jeton në Tiranë
Shkrimin e plotë me titullin origjinal “The Drama Of Albania”, mund ta lexoni KËTU.
klankosova.tv