Lajmet e fundit

Anëtarët e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë nënshkruese të kartës për bashkëpunim të ndërsjellë, përmes një konference për mediat kanë njoftuar se nuk do të protestojnë në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve -1 Maji.
Sipas kreut të Sindikatës së Punëtorëve në Drejtori dhe Organet Gjyqësore, Pece Grujovski, arsyeja përse në Maqedoni zakonisht nuk protestohet për 1 Maj qëndron në ndasitë mes organizatave sindikaliste në vend dhe para së gjithash te frika e punëtorëve për të protestuar për të drejtat e tyre.
Ai tha se një herë e përgjithmonë duhet kuptuar se të protestuarit nuk nënkupton me automatizëm protestë të drejtuar kundër një qeverie të caktuar ose kundër ndojnë partie të caktuar.
Grujovski u bëri thirrje punëtorëve të ngrenë zërin kundër padrejtësisë, mungesës së perspektivës, pagave të vogla, çmimeve të larta dhe shërbimeve joadekuate mjekësore, por siç tha, nga shkaku i festës fetare krishtere këtë vit nuk do të ketë protesta në rrugë.
Ai shtoi më tej se situata e fundit në shtet ndikon negativisht mbi gjendjen materiale të punëtorëve për çka apeloi që politikanët të gjejnë zgjidhje për krizën politike në vend.
Anëtari i Këshillit të LSM-së, Llazar Georgievski, në adresimin e tij para gazetarëve tha se numri i sindikatave nënshkruese të Kartës për Bashkëpunim të Ndërsjellë gjithnjë e më shumë po rritet, ndërkohë që akuzoi kreun sindikalist për indolencë, sepse siç tha, dy vite nga riemërimi i kryetarit të LSM-së, ky trup akoma nuk ka themeluar Këshillin e ri.