Lajmet e fundit

Disa anëtarë të Sindikatës së Arsimit të Kosovës kanë qëndruar në Gjermani ku kanë takuar kolegët nga sindikata gjermane, transmeton Klan Kosova.
Në një komunikatë të tyre, thuhet se kanë marrë përkrahje të fuqishëm si SBASHK nga gjermanët.
Vizita studimore është mbuluar materialisht nga GIZ-i gjerman.
Në kuadër të këtij aktiviteti studimor janë vizituar shumë institucione arsimore dhe janë zhvilluar takime me rëndësi me përfaqësues të lartë të Sindikatës gjermane të arsimit GEË.
“Një moment i veçantë i kësaj vizite ishin dy takime me kryetaren e sindikatës gjermane të arsimit në nivel të tërë Gjermanisë, znj.Marlis Tepe. Kryetarja e GEË-së është shprehur e lumtur pse po takon delegacionin e një sindikate të njohur për angazhime e aktivitete.”
“Ju përgëzoj për angazhimet dhe për arritjet. Këtu jeni si në shtëpinë tuaj dhe keni gëzuar e do të gëzoni mbështetjen e përkrahjen tonë të plotë në përpjekjet tuaja për të realizuar në tërësi kërkesat legjitime të anëtarësisë suaj”, është shprehur znj. Tepe në takimin me delegacionin e SBASHK-ut.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka falënderuar GIZ –in që ka mundësuar këtë vizitë shumë me rëndësi.
“ Zonjës Dagmar në GIZ gjatë takimeve në Prishtinë i kam thënë se duke mbështetur vizitën e delegacionit të SBASHK-ut në Gjermani po krijon dy mundësi të mrekullueshme për sindikatën e arsimit të Kosovës. Po mundëson që nga afër ky delegacion ta falënderojë sindikatën gjermane të arsimit GEË për përkrahjen morale e materiale që i ka bërë arsimit shqip të Kosovës gjatë kohës së okupimit, por edhe në vitet e para të pasluftës për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e arsimit të Kosovës dhe po mundëson edhe të shihen nga afër aktivitetet dhe angazhimet që po bën sindikata në mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve të Gjermanisë dhe për arritje sa më të mëdha në shërbim të arsimit”, ka thënë Jasharaj.
Kryetarja e sindikatave gjermane të arsimit, znj. Marlis Tepe është shprehur e gatshme që të vazhdojë bashkëpunimin me SBASHK-un dhe janë pajtuar me delegacionin e sindikatës së arsimit nga Kosova që bashkërisht të organizojnë seminare, konferenca e trajnime lidhur me forcimin e rolit të femrës në SBASHK.
“ Në agjendë ishte planifikuar vetëm një takim imi me ju, por po takohem për të dytën herë në shenjë respekti e për të dëshmuar edhe një herë përkrahjen tonë të plotë për sindikatën tuaj dhe për angazhimet që keni bërë e do të bëni në shërbim të mësimdhënësve të arsimit në shtetin tuaj”, është shprehur kryetarja e GEË-së për të premtuar se në momentin e parë të mundshëm do ta vizitojë Kosovën dhe do të shoh nga afër angazhimet e sindikatës së arsimit dhe për të dëshmuar përkrahjen e plotë për SBASHK-un.