Lajmet e fundit

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se greva në Kardiologji do të vazhdojë deri në reflektim për takim të Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Shëndetësisë, Bordin e SHKUK-së dhe Drejtorin e Përgjithshëm të SHSKUK-së
Kjo federatë njëherit e ka vlerësuar takimin e sotëm me kryeprokurorin e shtetit, Aleksander Lumezi si konstruktiv gjatë të cilit thonë se kanë marrë informata se nuk janë duke u hetuar të gjithë kardiologët, por një pjesë e mjekëve të profileve të ndryshme si dhe disa persona juridik, e që hetimi ka të bëjë me mitmarrje.
Në njoftim thuhet se sindikata ka insistuar që të zbatohen të gjitha ligjet e aprovuara në Parlamentin e Kosovës gjë e cila do t’i prevenonte dukuritë negative në shëndetësi.
“Njoftojmë opinionin e gjerë se pas këtij takimi nuk janë duke u hetuar të gjithë kardiologët por një pjesë e mjekëve të profileve të ndryshme si dhe disa persona juridik, poashtu, mjekët nuk akuzohen për mosofrim të shërbimeve shëndetësore dhe referim të tyre në institucione të tjera shëndetësore(gjë të cilën e kanë bërë në përputhje me udhëzimin administrativ të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë),por hetimet kanë të bëjnë me mitmarrje”, thuhet në njoftim.
Kjo sindikatë po ashtu ka insistuar që të mos bëhen publike emrat e punëtorëve shëndetësor që janë nën hetime derisa të merret vendim i formës së prerë nga ana e gjykatës për fajësinë e tyre,gjë për të cilën kemi marrë premtim nga bashkëbiseduesit, transmeton Klan Kosova.