Lajmet e fundit

Drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil B. Hoxha dhe Arsim Halili janë takuar sot me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Gjatë këtij takimi sindikalistët e kanë njoftuar kryeparlamentarin me gjendjen e përgjithshme në Transmetuesin Publik dhe problemet me të cilat përballet ky medium si pasojë e keqmenaxhimit.
Drejtuesit e sindikatës kanë shprehur shqetësimin për borxhet milionëshe në të cilat është zhytyr medium publik, blerjen pa kontrollë e pa mbulesë financare të produkteve të jashtme, pagat e dyfishta klienteliste dhe shpenzimet enorme për pagat dhe meditjet e bordit drejtues dhe stafit megaloman menaxherial përfshirë mbi 10 këshilltarë, të cilat kapin shifrën prej mbi 600 mijë eurosh në vit.
SPRTK kërkoi transparencë në draftimin e ligjit për RTK-në, krijimin e mekanizmave për rritjen e llogaridhënies financiare, uljen e shpenzimeve të panevojshme, në mënyrë që prodhimi të orientohet nga stafi i brendshëm, i cili po anashkalohet çdo ditë e më shumë.
Sipas Ligjit për RTK-në, Kuvendi i Kosovës është themelues i Transmetuesit Publik dhe ka për obligim ligjor të garantojë funksionimin e pavarur të RTK-së dhe ta mbikqyrë shpenzimin e parasë publik, transmeton Klan Kosova.