Lajmet e fundit

Organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë -PRAK, dhe mbështetur nga Suisse Solidar, sot në Prishtinë u mbajt një tryezë debate ë prag të fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore, në të cilën përfaqësues nga sektori qeveritar dhe jo-qeveritar janë diskutuar për sfidat e implementimit të sigurimeve shëndetësore.
Në këtë debat, u tha se sigurimet shëndetësore janë sfida më e madhe e shëndetësisë kosovare të pasluftës, ndërsa implementimi i tyre duhet të merret me kujdes dhe pas një procesi të kujdesshëm të përgatitjeve të gjithanshme.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se sigurimet shëndetësore janë një proces i rëndësishëm dhe mjaft sfidues. Ai tha se sistemi shëndetësor në Kosovë ka vepruar pas luftës pa këtë komponentë të rëndësishme, ndërkohë që, pas shumë përgatitjeve, Ministria e Shëndetësisë bashkë me ministritë dhe agjencionet e tjera kanë përcaktuar janarin si muaj kur pritet të fillojë mbledhja e premiumeve (kontributeve) për skemën publike të sigurimeve shëndetësore, bazuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, të marrë në gusht të këtij viti.