Lajmet e fundit

Hidrocentralet dhe gurëthyesit janë tema që janë diskutuar nga komisioni për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural, ku mori pjesë edhe ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi.
Gjatë këtij raportimi u theksua se ka probleme me lejet e integruara, sigurinë gjatë minimit si dhe degradimin e lumenjve për shkak të eksploatimit ilegal gjatë natës nga operatorët.
Në këtë mbledhje, theks të veçantë mori ankesa e banoreve të Qirezit rreth gurëthyesit në fshat.
Në lidhje me këtë problematikë, ministri Matoshi tha se inspektorët e ministrisë kanë dalë në terren dhe kanë mbyllur një gropë e cila paraqiste problem, ndërsa për kushtet e minimit ministri tha se nuk janë kompetentë.
Sipas tij, para se ministria të japë pëlqim për gurëthyesit, ato duhet të bëjnë debate publike me banorët dhe të marrin leje nga komunat përkatëse ku operojnë, megjithatë tha se pëlqimi mjedisor që jep ministria mund edhe të hiqet nëse rrezikohen banorët apo edhe mjedisi.
Deputetët patën kritika të shumta në lidhje me kriteret që ministria duhet t’u paraqesë kompanive duke iu vënë atyre kushte për punën që do të bëjnë.
Sipas ministrisë, janë 120 gurore që kanë marrë leje në ministrinë e mjedisit, mirëpo deputetet thanë se ka edhe të tjera që nuk kanë leje fare.
Kryeinspektori i MMPH, Fatmir Gerguri, u shpreh se ende nuk e dinë se si ka ardhur deri tek incidenti në Çirez që të bijnë gurë nga gurëthyesi shumë afër banorëve si dhe për kompaninë që punon në këtë fshat është bërë edhe pezullimi i punës së minuesit.