Ka nisur punimet Konferenca Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, e organizuar në partneritet të Ministrisë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Qendrës për Siguri Kibernetike e Privatësi dhe UBT-së.
Në ditën e parë të punimeve, konferenca mblodhi krerët më të lartë shtetërorë të Kosovës, përfaqësues institucionesh arsimore, ekspertë të çështjes së sigurisë dhe privatësisë dhe studentë e njerëz të tjerë të interesuar mbi këtë çështje tashmë të përhapur në nivel global.
Për të shfaqur mbështetjen e SHBA-ve edhe në fushën e sigurisë e privatësisë, pjesë e konferencës ishte edhe ambasadori Greg Delawie, i cili u shpreh i bindur se vendi i tij do ta vazhdojë mbështetjen e Kosovës për t’i siguruar institucionet e qytetarët.
Delawie vlerësoi se Kosova ka bërë shumë punë dhe avancim në rritjen e nivelit të sigurisë dhe i këshilloi institucionet që të vazhdojnë të angazhohen, me qëllim të luftimit të dëmeve që vijnë nga krimet kibernetike, përfshirë edhe parandalimin dhe ndalimin e ngacmimeve online, sulmeve ekonomike e politike, përhapjen e terrorizmit etj., elemente këto, të cilat, sipas ambasadorit amerikan, po e rrezikojnë Kosovën dhe botën.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se ky institucion është përkushtuar që të ofrojë maksimumin e mundshëm për sigurimin dhe mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe qendrave akademike nga krimet kibernetike.
“Aktualisht po përballemi me një rritje të madhe të lidhjeve në internet, e kjo ndikon në ngritjen e produktivitetit, efiçiencës dhe rritjen e cilësisë së jetës. Por, çdo lidhje më shumë në internet, është kërcënim për sigurinë, andaj duhet t’i kushtojmë vëmendje ngritjes së kapaciteteve për rritjen e nivelit të sigurisë dhe privatësisë në vendin tonë”, vlerësoi Hajrizi.
Ai u zotua se institucioni të cilin ai e udhëheqë, do ta luftojë krimin dhe kriminelët kibernetikë, përmes ofrimit të vazhdueshëm të përkrahjes për Qendrën për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, si dhe përmes divizionit, UBT-CERT.
Në këtë konferencë pjesëmarrës ishin edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Ministri Besim Beqaj.
Konferenca ndërkombëtare treditore “Siguria Kibernetike dhe Privatësia”, organizohet në partneritet me UBT-në, si dhe do të zgjasë deri më 26 janar 2018.
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.