Lajmet e fundit

Partia e parë antikomuniste dhe themeluese e pluralizmit, do të ishte vërtet demokratike, nëse do të ishte zbatuar statuti i parë i saj, i hartuar vetëm pak ditë pas themelimit, në 12 dhjetor 1990.
Me dy vjet dhe vetëm dy mandate, pa të drejtë rikandidimi, PD-ja, do të ishte bërë “shkolla e demokracisë politike” në Shqipëri, ku janë themeluar mbi 100 parti në një çerek shekulli pluralizëm. Por ëndrra zgjati vetëm pak, për t’u bërë zhgjëndërr dhe partitë që erdhën pas rrëzimit të PPSH-së, kanë seicila kryetarin e përjetshëm, pa kufizim mandatesh, pa afate kohore, mundësisht t’ia kalojnë edhe atij që mallkuan aq shumë në dhjetor 1990, Enver Hoxhës.
Statuti i parë i PD-së, i publikuar në faqen online politike.al, mban datën 17 dhjetor 1990 dhe është pjesë e dokumentacionit që PD-ja dërgoi në adresë të Ministrisë së Drejtësisë, në qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Adil Çarçani. Dokumenti me 15 faqe, është kopja e parë e një statuti partie postkomuniste. Pika më interesante është neni 34 i statutit ku thuhet se: Kryetari qëndron në postin e tij për dy vjet dhe nuk mund të zgjidhet për më tepër se dy mandate radhazi”.
Kjo do të zgjaste vetëm 3 vjet. Në shkurt 1991, Berisha do të merrte drejtimin e PD-së, duke eliminuar kundërshtarët dhe pas një viti do të bëhej president e një vit më vonë, kur ishte kryetar i PD-së, Eduart Selami, do të hiqej kufizimi i shprehur në statutin e parë, për ta bërë postin e kryetarit të përjetshëm.
Një nga anëtarët e vjetër të PD-së, i pranishëm në mbledhjen kur u bënë ndryshimet statutore në vitin 1993 tha për ‘Shekulli”-n, se ishte një votim formal për një pikë shumë të rëndësishme dhe ai ishte unanim.
Sali Berisha, atëherë presidenti, por edhe kryetari de facto i PD-së tha në mbledhje, duke iu drejtuar kreut de jure të partisë: "Selamin e kemi të ri dhe shumë të mirë, ndaj pse duhet t’ia ndërpresim karrierën, duke i vendosur kufizime në statut, ndaj propozoj që të hiqet kufizimi". Të pranishmit votuan me dorën lart, të gjithë dhe kështu u ndryshua neni 34 i statutit të PD-së për ta bërë kryetarin të përjetshëm. Kuptohet jo Eduart Selamin, sepse një vit më vonë, pas përplasjeve në parti, Berisha do ta përzinte nga partia dhe vendi, dhe ai iku si emigrant ekonomik në SHBA.
Selami si “kryetar”
Që Eduart Selami ishte përfaqësuesit kryesor i PD-së, në ditët e para të themelimit kjo tregohet edhe me dokumente. Kërkesa zyrtare e PD-së për ligjërimin nga Ministria e Drejtësisë së asaj kohe mban emrin e tij poshtë, edhe pse figura qendrore në mitingje dukeshin Azem Hajdari, apo Sali Berisha.
Kërkesa e PD-së për t’u ligjëruar si partia e parë postkomuniste mban poshtë firmën e Eduard Selamit, me cilësinë e kryetarit të Grupit Organizator të PD-së. Bashkë me kërkesën e shkurtër jepen edhe 35 faqe dokumentacion, ku përfshihen programi minimal i PD-së, statuti dhe lista emërore e 376 nënshkruesve. Kërkesa u më 17 dhjetor 1990, 5 ditë pas datës zyrtare të themelimit të PD-së. Përgjigjja pozitive erdhi dy ditë më parë, më 19 dhjetor, firmosur nga Ministri i Drejtësisë, Enver Halili, ku miratohej kërkesa PD-së. Në vendimin e Ministrisë thuhej se kërkesa e PD-së është në përputhje me Kushtetutën e RPSSH-së, që ishte Kushtetuta komuniste e vitit 1976, e cila në nenin 3 theksonte se “PPSH, pararoja e klasës punëtore, është forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë. Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ideologjia sunduese është marksizëm-leninizmi. Në bazë të parimeve të tij zhvillohet gjithë rendi shoqëror socialist”….Pavarësisht kësaj, vendimi i qeverisë komuniste ligjëroi PD-në, e cila duhej të ishte partia e parë antikomuniste dhe themeluese e pluralizmit politik më 1990.
Statutet, nga 2 vjet te heqja e viteve
Në statutin e vitit 1996, i pari pas atij të vitit 1990, u ruajt mandati 2-vjeçar i kreut të partisë, por u hoq kufizimi i mandateve. Në nenin 31 të tij thuhej: “Kryetarin e partisë e zgjedh Kuvendi ose Konferenca Kombëtare e partisë me shumicë absolute votash dhe me votim të fshehtë. Kryetari zgjidhet çdo dy vjet”.
Statuti i vitit 1998 e suprimon fare nenin për kryetarin dhe zgjedhjen e tij. Në vend të tij është një nen 25 që flet për kompetencat e KuvenditKombëtar të PD-së, në pikën 3 të të cilit thuhet se: Zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e partisë dhe në pikën 4: Vendos për shkarkimin e kryetarit të partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Në statutin e vitit 2005, më në fund rikthehet neni për kryetarin dhe zgjedhjen e tij, por, sërish asnjë kufizim kohor, apo mandatesh. Në nenin 46, pika 3 thuhet: “Kryetari i Partisë zgjidhet në përputhje me nenin 39 të Statutit, me sistem mazhoritar me dy raunde. Modalitetet e votimit përcaktohen nga rregullorja e brendshme”.
Por edhe statuti i katër viteve më vonë ka të njëjtin përshkrim, duke lënë në krye një kryetar të përjetshëm.