Pandemia ka ndryshuar formën e jetës së njerëzve në të gjithë vendet e botës.
Gjendja që po mbizotëron me virusin ka prekur emocionalisht të gjithë, njofton Klan Kosova.
Por, sipas psikologes Lule Alidema, kjo situatë tek njerëzit ndikon edhe në psikikë, madje duke ndërruar edhe mënyrën e sjelljes me njëri-tjetrin dhe duke shtuar frikën në mesin e njerëzve.
Ajo në një intervistë për Klan Kosova ka treguar aspektet e ndikimit të pandemisë dhe ka këshilluar si të kalohet më lehtë kjo situatë.
Intervista e plotë:
Klan Kosova: A do të kemi pasoja afatgjate në aspektin psikik për shkak të pandemisë, cilat konsideroni se do të jenë këto pasoja?
Lule Alidema: Sigurisht se për një shëndet të mirë psikik nevojitet një stabilitet emocional, një stil jete pa turbulenca të theksuara, që në një formë mund të jenë shkaktarë për çrregullime psikike. Për të mësuar një sjellje dihet se nevojitet një limit kohe e caktuar, ndërkaq për ta ç’mësuar kërkohet dyfishi i kohës për aq kohë sa është mësuar ajo sjellje, andaj kur flitet për pandeminë që thuajse nuk la njeri pa përfshirë sikur nga aspekti psikik ashtu dhe ai material sigurisht se bëri dhe dëme nga aspekti psikik, po dhe mund të rezultojë me pasoja. Gati një vit bëhen që kur në vendin tonë u shfaqën rastet e para me COVID-19!. Përgjatë kësaj periudhe, patëm trazira emocionale prej më të ndryshmeve, kuptohet se ndikimi ndryshon nga individi në individ, varësisht imunitetit apo stabilitetit emocional dhe organik të secilit.
Nga aspekti psikologjik pati luhatje thuajse në gjithë spektrin emocional si: konfuzion, strese, nervozizëm, panik, eufori, frustrime, ankthe, depresione e deri tek çrregullime më madhore psikike. Kjo gjendje sigurisht se preku në një formë anën psikike të njeriut. Pasoja afatgjate mund të ketë, sidomos tek rastet që humbën krejt papritur të dashurit e tyre, ata që patën panik të tepërt ngase kishin sëmundje shoqëruese, që do të thotë u përkeqësoi tutje gjendjen nga frika e infeksionit, ata që kishin një histori të mëhershme me çrregullime psikike, ata me ndjeshmëri të lartë emocionale etj. Pasojat siç cekëm mund të janë përshpejtim apo ulje imunitetit për tu prekur nga çrregullimet psikologjike, atake më të theksuara të panikut, depresione të ndryshme e deri në zhvillim të sëmundjeve organike.
Klan Kosova: A konsideroni që pandemia e ka ndryshuar sjelljen e njerëzve dhe qasjen në shoqëri?
Lule Alidema: Vet ideja se jemi të kufizuar në lëvizje, jemi të preokupuar nga frika për shëndetin tonë dhe të familjarëve tanë e aq më tepër që nuk dihet kohëzgjatja dhe pasojat e virusit sigurisht se kanë ndikuar dhe po kontribuojnë në ndryshime në sjelljen e njerëzve apo në ndërveprim social. Dukshëm duket një rënie disponimit, zbehje e marrjes së iniciativave, demotivim në veprime dhe punë aktivitete tjera, thjeshtë kufizim në të gjitha aspektet. Gjitha këto kufizime, ndryshime në stilin e jetës që për njeriun shënojnë dukshëm një kthesë ndryshe ndikojnë dhe në sjelljen e tij që shpesh reflektojnë si acarime, dhunë, trishtime, frustrime dhe konflikte krejtësisht të pa baza. Njeriu zakonisht kur ka një konflikt të brendshëm brenda vetes, doemos do e shpërfaqë dhe jashtë në një formë.
Klan Kosova: A e ka rritur frikën situata në vendin tonë, a keni trajtuar ju ndonjë rast shkaku i frikës ndaj koronavirusit?
Lule Alidema: Sigurisht se ka rritur dukshëm frikën nga infeksioni me COVID-19, duke akumuluar mendime negative, duke vënë fokusin në të gjitha informacionet herë të sakta e herë tjera dezinformuese, apo edhe të zmadhuara nga personi në person. Fatkeqësisht ka shumë raste që kërkuan dhe kërkojnë ndihmën psikologjike, po dhe klinike që vjen si pasojë e frikës. Për shembull, shpesh njerëzit simptomat e frikës, panikut, stresit d.m.th. e shqetësimeve psikologjike nuk arrijnë t'i dallojnë nga simptomat e sëmundjeve tjera organike.
Paraqiten raste me simptoma somatike, që fillimisht duhet filluar me ekzaminime laboratorike pastaj me psikoterapi. Pastaj ka familje që është izoluar komplet familja nga frika që do të infektohen, domethënë gjithë familja kanë kaluar në një gjendje obsesive, duke u mbikujdesur, madje duke iu shmangur edhe punës dhe aktiviteteve që janë të domosdoshme për ta.
Klan Kosova: Jemi dëshmitarë të rritjes së rasteve të dhunës në familje. A është shkaku i pandemisë? A i ka bërë njerëzit kjo situatë më nevrikë dhe më të dhunshëm?
Lule Alidema: Siç theksova më lartë kjo situatë sigurisht e pakëndshme që tashmë po mbretëron, ka rritur edhe mungesën e durimit, ka rritur sasinë e nervozitetit, acarimeve, në popull. Duket haptas një gjendje e përgjithshme acaruese që për pasojë ndikon dhe në ndërveprimin mes njerëzve, mes çifteve bashkëshortore, familjarëve po dhe mes shoqërisë në përgjithësi. Tjetër faktor që nxit në konflikte apo prishje të humorit nëpër njerëz është edhe ana materiale, shumëkush humbi vendin e punës, kriza ekonomike sigurisht se mund të jetë burim konflikti për shumë familje. Pavarësisht se në çfarë gjendje pandemie jemi, njeriut shpenzimet vazhdojnë e aq më tepër në këtë gjendje pandemie ku dyfish shpenzimet janë më të rritura e të ardhurat janë me mungesë.
Klan Kosova: Cili është ilaçi sipas juve për daljen nga kriza psikike në këtë kohë?
Lule Alidema: Ilaç më i mirë për të mos u prekur nga ndonjë çrregullim i mundshëm është që të pranohet me qetësi situata ashtu si është, të mos humbet durimi e shpresa për ditë më të mira, të supozohet se është kaluese dhe shpejt do ndryshon gjendja. Ta ruajmë shëndetin mendor, të kemi qëndrueshmëri në përballimin e secilës sfidë jetësore. Larg mendimeve negative!
Klan Kosova: Cilat aktivitete duhet t'i bëjmë për t'i larguar mendimet negative?
Lule Alidema: Përveç vazhdimit të ritmit të njëjtë të aktiviteteve ditore, leximi, shkrimi, shëtitjet në natyrë, aktivitetet sportive, etj. Do të thotë gjithçka që ju bën të ndiheni mirë sigurisht se do të jenë mundësi e mirë për të zëvendësuar mendimet negative në ato pozitive, do të ndihmojnë në funksionimin e mirë të mendjes dhe trupit.
Klan Kosova: Cila është porosia juaj lidhur me situatën?
Lule Alidema: Porosis secilin që të ketë kujdes me veten dhe në raporte me tjerët, të ruajnë shëndetin mendor, mos të vënë fokusin në secilën pengesë që njeriut i del përpara gjatë jetës! Secili problem ka zgjidhje! Krahas punës e obligimeve ditore, siguroni vetes një kohë së paku dy orëshe në ditë në relaksim të vetes dhe familjes, ushqehuni shëndetshëm. Supozoni se edhe kjo periudhë kalon, siguroni vetes se kjo pandemi ikën e mos të jetë shkas që në neve të mbesin çrregullimet psikike. Keni parasysh se çrregullimet psikike mund trajtohen por të shërohen plotësisht është tejet e vështirë.
Çrregullimet psikike mund të qëndrojnë stabile për kohë të gjatë mund të jenë të heshtura, të fjetura, por një shkëndijë shqetësimi mund ta rikthejë prapë në gjendje të mëparshme. Andaj, para se të atakohet me çrregullime psikike të jemi të aftë ta menaxhojmë me maturi secilën sfidë jetësore si normale. Njeriu ka intelektin që i mundëson të selekton atë që duhet, dhe atë që nuk duhet, andaj bëjeni në të mirë të vetes, të shëndetit mendor dhe në përgjithësi gjithë organizmit!