15.07.2015 · përditësuar para 4035 dite1 min lexim
Deputetët e Parlamentit të Greqisë i kanë miratuar masat e ashpra ekonomike që u janë kërkuar nga Eurozona me qëllim të mundësimit të realizimit të ndihmës prej 86 miliardë eurosh.
Nga gjithsej 300 deputetë, 229 votuan "për".
Legjislacioni i ri përfshin rritjen e taksave dhe ngritjen e kufirit të moshës për pensionim, transmeton Klan Kosova.
Para votimit, protestuesit hodhën bomba me benzinë mbi forcat policore gjatë protestave kundër masave të kursimit, ndërkohë që policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
Kryeministri Alexis Tsipras tha se nuk i besonte marrëveshjes, por prapëseprapë kërkoi nga deputetët që t’i miratojnë masat e kursimit.
Ai pohoi se është i vullnetshëm që t’i implementojë propozimet “irracionale” për ta shmangur kolapsin e bankave dhe katastrofën greke.
Në një fjalim pasionant pak para votimit, Tsipras deklaroi:
“Populli grek është plotësisht i vetëdijshëm dhe mund ta kuptojë dallimin mes atyre që luftojnë në një betejë të padrejtë, si dhe të tjerëve që i dorëzojnë armët e tyre pa luftë”.
Votimi ishte i suksesshëm përkundër pakënaqësive nga një pjesë e deputetëve të partisë Syriza, 38 prej të cilëve votuan "kundër", transmeton Klan Kosova.
Mes tyre ishte Kryetarja e Parlamentit, Zoi Konstantopoulou, e cila u largua para votimit, kurse u kthye pastaj për ta mbajtur një fjalim të zjarrtë në të cilin ditën e sotme e quajti “një ditë tejet të zezë për demokracinë në Europë”.
Më shumë se gjysma e anëtarëve të komitetit qendror të Syrizas e nënshkruan një deklaratë me të cilën e kundërshtuan marrëveshjen e pakos, duke e konsideruar atë si grushtet të liderëve evropianë kundër kombit grek.
klankosova.tv
Protestat para Parlamentit Grek Fjalimi i Alexis Tsipras
●●●
Shpërndaje këtë artikull
KK
SHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.