Lajmet e fundit

Kryeradaktori i "Reporteri", Mentor Gjergjaj ka folur rreth publikimit të bisedave të anëtarëve të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në platformën "Viber", e ku pretendohet se ka pasur manipulim të votave të diasporës.
Gjergjaj shpjegon se si anëtarë të kryesisë kanë kërkuar që këtij fenomeni t'i vihet emri "skemë e organizuar kriminale", transmeton Klankosova.tv.
"Dje kemi publikuar edhe serinë e tretë shkrimesh të komunikimit të brendshëm të kryesisë së LDK-së në grupin Viber. Komunikimet kanë ndodhur në ditët e fundit të numërimit të votave me post, të ardhura nga diaspora, ku brenda LDK-së kanë shpërthyer disa pakënaqësi në lidhje me ecurinë e procesit të votimit në diasporë. Bazuar në rezultatin e votave për kandidatë nga diaspora të LDK-së, anëtarët e kryesisë kanë pasur ankesa për manipulim votash. Madje përplasja ka shkuar deri sa është kërkuar nga një pjesë e anëtarëve të kryesisë që asaj që ka ndodhur t'i vihet emri si skemë e organizuar kriminale", u shpreh ai për emisionin "Ora Shtatë".