Lajmet e fundit

Në intervistën me gazetarin, Adriatik Kelmendi, njëherësh autor i emisionit më të shikuar politik - Rubikon në Klan Kosova, Bedri Hamza ka shpalosur detaje nga jeta e tij personale.
Para 35 viteve, në pjesën veriore të Mitrovicës andej ku i riu Bedri Hamza po punonte, e takoi Remën, siç i drejtohet ai, vajzën që u bë bashkëshortja e tij.
“Në Mitrovicë e kam fillua karrierën profesionale, në Zveçan aty ku ka punua edhe baba jem. Edhe jam njoftuar me bashkëshorten tem në pjesën veriore të qytetit në vitin `90. Unë kam punuar atje edhe jemi njohur te Shkolla Teknike, kemi shkuar e kemi pi një kafe, nuk e dija a ndreqem apo jo. Mirëpo bashkë jemi qe 35 vjet prej vitit 1990. Ende në atë kohë unë kam qenë duke punuar në Zveçan”, kujton Hamza.
Pasi që u kishin lindur fëmijët, Hamzën e kishin larguar nga puna në Trepcë, thotë se jeta ishte bërë më e vështirë por se bashkëshortja e ka ndihmuar dhe se gjithçka e kanë ndërtuar së bashku.
“Jemi njoftuar në pjesën veriore, pas një kohë jemi fejuar pastaj jemi martuar. Fmijët Dorontina është lind në 1993, Diellza në vitin 1996, viteve `90 kanë qenë ma vështirë se na larguan prej pune deri sa filloi sektori privat për me funksionu, ka qenë ma vështirë me sigurur ekzistencën për të gjithë. Megjithatë i jam shumë falënderues Remës se kurrë nuk e ka këqyrë situatën kur i kemi punët më mirë kur më dobët, njëjtë kemi qenë edhe gjithçka çka kemi e kemi bashkë. Punon si staf profesional në shëndetësi, e don punën e vet shumë edhe kur unë po e premtoj furnizimin me barna, një prej arsyeve është kjo, se po thotë njerëzit nuk kanë barna edhe ka të drejtë se është ashtu”, tha Hamza.
Në mëngjes bashkë me bashkëshorten, Hamza thotë se i bëjnë 7 kilometra ecje rreth Liqenit Artificial në Mitrovicë.
“Po e them me sinqeritet mos me qenë përkrahja e plotë e Remës, kish qenë shumë e vështirë për mu. Unë kam ba përpjekje që me ju nejt gati me ju kushtuar kohë por kur është në pyetje te ngritja e fëmijëve, edukimi, solidariteti, modestia, disiplina meritat i takojnë kësaj”, thotë Hamza.