Lajmet e fundit

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ndonëse nuk ka treguar se si saktësisht do të sillet AAK-ja në opozitë, ka thënë se nuk do ta dështojnë vendin për shkak të kundërshtarëve politikë.
“Nuk jap asnjë paralajmërim se si do ta bëjmë opozitën. Unë kam deklaruar sinqerisht se për mua nuk ka lidhje emri i askujt, pra nuk ka lidhje a është Hashimi [Thaçi], Albini [Kurti], Kadria [Veseli], Isa [Mustafa] apo Vjosa [Osmani] – është tema”.
“Kush bën punë të mira për vendin do ta ketë përkrahjen time, ndërsa kush bën punë të këqija do ta kundërshtojmë ashtu siç e parasheh pozicioni opozitar”.
“Nuk duam ta dështojmë vendin me dëshirën që të dështojnë oponentët politikë”.
Ai, në një konferencë për media ku është shpalosur raporti i punës dyvjeçare të qeverisë “Haradinaj 2”, ka thënë se do t’i mbështesë investimet për termocentralin “Kosova e Re”.
“Për termocentralin ‘Kosova e Re’, qeveria Mustafa ka qenë proaktive në të. Me sa e di unë, LDK ka pasë qëndrim parimor në përkrahje të investimeve për ‘Kosovën e Re’ - edhe gjatë qëndrimit në opozitë ata asnjëherë nuk janë deklaruar kundër ‘Kosovës së Re’”.
“Edhe pse unë nesër jam opozitë, do ta përkrah ‘Kosovën e Re’ ashtu si ka bërë LDK-ja. Shpresoj që edhe PDK-ja do ta përkrah sepse ka qenë përkrahëse”.
“Investimi është kapital dhe është interes strategjik i yni. Është teknologji e re dhe na krijon mundësinë që të lirohemi prej termocentraleve ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’. Unë e përkrah”.