Lajmet e fundit

Këshilli i Prindërve të Kosovës është i zhgënjyer me rezultatet e testit ndërkombëtar të vlerësimit PISA, ku Kosova u rendit në tri vendet e fundit të botës.
Edhe prindërit, sikur edhe institucionet shtetërore e komunale, kanë pritur shumë më tepër nga ky vlerësim, i cili edhe pse në vendin tonë aplikohet për herë të parë rezultati është tepër shqetësues dhe tregon nivelin jo të mirë të arsimit në Kosovë.
"Ky rezultat i dobët që është dalë nga ky testim nuk është dobësi vetëm e nxënësve, të cilët iu kanë nënshtruar testimit, por është rezultat i dobët për vetë shtetin e Kosovës, andaj Këshilli i Prindërve apelon nga të gjitha organet relevante, nga Qeveria e Kosovës dhe Institucionet e tjera të saj që të angazhohen maksimalisht për përmirësimin e nivelit të arsimimit, përfshirë këtu në radhë të parë mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, drejtorët e DKA-ve, MASHT-in dhe ministritë e tjera , SBASHK-u, pa i anashkaluar as edhe të zgjedhurit e popullit dhe prindërit".
"Veç tjerash Këshilli i Prindërve apelon që ky rezultat i vlerësimit PISA mos të përdoret për qëllime të cilat nuk i kontribuojnë situatës nga kushdo qoftë, por gjithçka të jetë në kontest të zgjedhjes së problemeve e kurrsesi ky proces të politizohet".
"Nëpërmes kësaj komunikate ne ,Këshilli i Prindërve të Kosovës, u bëjmë apel të gjithë nxënësve që mos të dekurajohen por të angazhohen për mësimnxënje sa më cilësore, me shpresën se testimi i ardhshëm do të na gjej më të përgatitur dhe me rezultate më të larta, thuhet në kumtesën e Këshillit të Prindërve të Kosovës.