Lajmet e fundit

Ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja, më 17 korrik të këtij viti do të dalë para Prokurorisë së Specializuar në cilësinë e të dyshuarit.
Këtë e ka konfirmuar vetë Buja për “Zërin”, ku ka shtuar se nuk pret drejtësi nga kjo gjykatë, shkruan sot gazeta "Zëri".
Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është ftuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë. Ftesën e ka konfirmuar vetë Buja, i cili për “Zërin” ka deklaruar se ndonëse nuk beson se kjo gjykatë mund të sjellë drejtësi për UÇK-në dhe për luftën e saj të drejtë.
Ai më 17 korrik do të paraqitet para Prokurorisë Speciale.
“Jam i ftuar nga Prokuroria Speciale, paraqitjen do ta kem më 17 korrik në Hagë. Kam pranuar ftesën, e kam konfirmuar pjesëmarrjen në Prokurori. Do ta respektoj këtë dhe do të jem prezent në Gjykatë. Jam ftuar në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë Buja.
Mirëpo pavarësisht se ka pranuar ftesën, Buja e vlerëson Gjykatën Speciale si gjykatë politike dhe të njëanshme
“Se sa do të ketë drejtësi mbetet të shihet, mirëpo Gjykata Speciale shihet që është gjykatë politike, e njëanshme dhe do të jetë e dëmshme për Kosovën”, ka deklaruar ai.