Lajmet e fundit

Top Channel ka siguruar programin qeverisës 2017-2021, i përmbledhur në 28 faqe dhe i ndarë në katër kapituj, që kryeministri Rama do të prezantojë të hënën në Parlament përpara 140 deputetëve.
Pika e parë në programin qeverisës 2017-2021 është ekonomia, ku vendin kyç e zë paketa “Një miliard”, ku do të injektohen më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi. Pjesë e saj është edhe programi për bujqësinë, mjedisin, infrastrukturën dhe transportin, ku ndër projektet prioritare të qeverisë renditen Korridori Adriatiko-Jonian, ndërtimi i Rrugës së Arbrit, akset Fushë Krujë – Shkodër dhe Thumanë – Kashar, si dhe disa “bypass”-e. Turizmi shihet gjithashtu si prioritet për 4 vitet e ardhshme, ku qeveria synon të konsolidojë 4 destinacione turistike kombëtare: Alpet shqiptare, Jugu i ri, portet e marinat, si dhe Tirana.
Qeveria ka ndarë në disa shtylla kryesore fushën e drejtësisë, e cila nis me jetësimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa objektiv mbetet edhe rritja e performancës së Administratës Publike.
Kryeministri thotë se, 2017-2021 do të jetë mandati i investimeve të mëdha në arsim, ndërsa programi për shëndetësinë dhe kujdesin social vjen nën moton “Shëndet për të gjithë”.
Një tjetër kapitull i rëndësishëm, që përmbyll programin qeverisës, është ai i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Integrimit europian dhe shqiptarët në botë. Përmes këtij programi synohet fillimi sa më parë i procesit të negociatave për anëtarësim dhe përmbylljen e kapitujve kryesorë, ku theksohet se shërbimi diplomatik do të jetë në pararojë të këtij procesi. /Top Channel/