Lajmet e fundit

Seanca për të akuzuarit e organizatës “Syri i Popullit” është shtyrë për datën 11 prill pasi ka munguar një nga 10 të akuzuarit, Bajrush Konjusha.
Avokatja e të dyshuarit, Murat Jashari, Fehmije Gashi-Bytyqi ka kërkuar që i mbrojturi i saj të mos ftohet më në Gjykatë pasi që sipas saj, ekspertizat kanë konstatuar se ai është i papërgjegjshëm, njofton Klan Kosova.
Këtë kërkesë e ka kundërshtuar prokurori i rastit, Sylë Hoxha, i cili ka thënë se sipas ekspertizës, i pandehuri është i gatshëm të përcjellë seancat gjyqësore.
Në ndërkohë, kryetarja e trupit gjykues, Naime Jashanica e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Murat Jasharit.
Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Ragip Sallova, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha, Behxhet Topolana, Avni Llumnica dhe Murat Jashari dyshohen se kanë kryer veprat penale “hakmarrje në ndihmë”, “dhunim”, “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “hakmarrje”.
Të pandehurit, me datë 15.05.2015, në një shtet evropian, kishin marrë vendim që në mars të vitit 2017, të fillojnë me aksione të kundërligjshme, me qëllim që seriozisht të destabilizojnë ose të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës, që me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish- funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.
I pandehuri, Murat Jashari, kishte tentuar të vriste ish-funksionarin, Azem Vllasi.