Lajmet e fundit

Të paktën tre persona të tjerë raportohet se kanë vdekur në protestat kundër presidentes së Perusë, Dina Boluarte.
Dhjetëra persona kanë vdekur gjatë protestave që janë duke ndodhur për javë të tëra pasi ish-udhëheqësi Pedro Castillo u rrëzua.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në kryeqytetin Lima, ku mijëra protestues nga zonat rurale kanë kaluar ditë të tëra duke qëndruar.
Një grua ka humbur jetën në qytetin jugor të Macusanit, ku raportohet se i është vënë flaka një stacioni policor.
Mbikëqyrësi i të drejtave të njeriut në Peru i raportoi dy vdekje të tjera si rezultat i bllokadave në rajonin verior La Libertad.
Në një postim në Twitter, thuhet se një grua 51-vjeçare kishte vdekur dhe se "një adoleshente humbi fëmijën e saj".
Demonstruesit duan që Boluarte të largohet dhe të organizojë zgjedhje të reja dhe që Castillo, paraardhësi i saj i majtë, të lirohet nga paraburgimi.
Guvernatorët e rajoneve jugore Puno, Cusco dhe Apurimac kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e presidentes.
Boluarte iu ka rezistuar thirrjeve për të dhënë dorëheqjen dhe lëshoi një thirrje në fillim të kësaj jave për peruanët që të kenë protesta paqësore, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.