Lajmet e fundit

Për dy ditë, policia ka arrestuar nëntë persona të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste. Pesë prej tyre në Prishtinë, të hënën.
E, bashkë me ta, sekuestruan gjithë këtë arsenal armësh, të fshehur mirë brenda kësaj grope në mal.
Armë, municion e pajisje teknologjike iu gjetën një ditë më parë edhe katër të dyshuarve tjerë që u kapën në Prizren, Pejë e Gjakovë.
Mbi krejt, rëndojnë dyshimet edhe për transport e mbajtje armësh.
E, për disa, institucionet veçse kanë historik në sirtar. Ka prej tyre që edhe më parë janë arrestuar me dyshimet për pjesëmarrje në konfliktet e Lindjes së Mesme.
Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, konsideron se prokuroria dhe gjykata nuk i kanë trajtuar mirë më parë këto raste, pasi u kanë dhënë mundësi të njëjtëve të ushtrojnë përsëri vepra terroriste.
Bashkësia Islame e Prizrenit e pranon se ka grupe njerëzish me ideologji ekstreme që organizohen fshehtë, përkundër fushatës së BIK-ut kundër terrorizmit.
Nuk është njoftuar nese Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim për të arrestuarit.