Lajmet e fundit

Nga e hëna ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për çmimin tavan të derivateve.
Në ditën e parë të implementimit, çmimi maksimal i një litri naftë qe 1 euro e 85 centë. Benzina ra në 1 e 74, kurse për gaz 78 centë.
Vendosja e çmimeve tavan tek disa biznese u bë me kohë, por diku pati edhe vonesa. Këto i mirëkuptuan të hënën inspektorët e tregut, por nuk do ta lejojnë në ditët tjera.
Zëvendësuesja e kryeinspektores së tregut në Ministrinë e Tregtisë, Lebibe Haliti, tha se për shkelësit e këtij vendimi mund të ketë gjoba deri në gjashtë mijë euro.
Çmimet do të caktohen çdo ditë në orën 10 të mëngjesit, teksa ushtruesja e detyrës së kryeinspektores, Lebibe Haliti, shpjegoi se tavani vendoset në bazë të të dhënave që merren nga dogana.
Lirimi disa centësh u mirëprit, por qytetarët duan zbritje më domethënëse.
Naftëtarët nuk kanë dhënë qëndrim, të hënën, sa i përket këtij vendimi. Për t'i monitoruar këta nëse po i respektojnë çmimet, inspektorëve ministror të tregut, nga e marta, u bashkohen edhe ata të komunave dhe Administratës Tatimore.