Lajmet e fundit

Shtëpia e Bardhë sërish i ka dhënë jehonë marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë që e nënshkruan me ndërmjetësimin e presidentit Donald Trump.
Administrata e quajti këtë marrëveshje të madhe dhe historike, si dhe vazhdim të atyre marrëveshjeve të mëdha që bëri së fundi Trump, njofton Klan Kosova.
“Presidenti Trump u takua me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin kosovar Avdullah Hoti të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku udhëheqësit shpallën një zotim historik për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në shkresë.
"Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin të gatshme të arrijnë një përparim të madh - diçka që askush nuk mendonte se do të ishte e mundur", tha Presidenti Trump.
Shtëpia e Bardhë thotë se Administrata e presidentit Trump ka bërë kohët e fundit një numër marrëveshjesh kryesore paqeruajtëse. Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë pason vetëm disa javë pas një tjetër përparimi të madh që ndërmjetësoi midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Një përfitim tjetër anësor dhe i rëndësishëm i marrëveshjes Serbi-Kosovë, tha të premten këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O'Brien, është se tani lejon "vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës, një shteti me shumicë myslimane dhe shtetit të Izraelit".
Po ashtu, thuhet se në Zyrën Ovale, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti falënderuan presidentin Trump dhe ekipin e tij për angazhimin e tyre për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Unë pres të shoh Serbinë dhe Kosovën të prosperojnë ndërsa ne punojmë së bashku për bashkëpunimin ekonomik në rajon. Unë mezi pres që të shkoj në të dyja vendet një ditë në një të ardhme jo shumë të largët ", tha presidenti Trump.