Lajmet e fundit

Vetëm edhe një muaj i ka mbetur Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar që ta shfrytëzojë pa pagesë rezervuarin për mbajtjen e oksigjenit të lëngët i cili gjendet midis Klinikës Infektive dhe asaj të Internos në QKUK.
Kjo ngase ky tank u dha për shfrytëzim për SHSKUK-në, nga muaji qershor, nga kompania për importimin e oksigjenit dhe shpërndarjen e tij “Medical Group” për shkak të nevojës dhe rritjes së kërkesave për furnizim me oksigjen.
Institucioneve shëndetësore iu desh kohë që të hapin një tender të tillë, ku vetëm pak ditë më parë QKUK ka lidhur kontratë me dy operatorë për vendosjen e tetë tankeve.
“Ne kërkojmë mirëkuptim nga kompania që të na lërë në shfrytëzim deri në zëvendësimin e tij”, ka thënë ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Sipas përfaqësuesit të “Medical Group”, Skender Kutllovci, kjo gjë do t’i mundësohet SHSKUK-së.
Sipas tij, kostoja e blerjes së një tanku, siç është ky, është rreth 80 mijë euro, derisa qiraja mujore sillet prej shumës 1200-1500 euro, përfshirë mirëmbajtjen e tyre.