Lajmet e fundit

Të dyshuarit kryesor për plagosjen e avokatit Azem Vllazi, Murat Jasharit, të martën pasdite nga Gjykata Themelore e Prishtinës, i është shqiptuar masa për 30 ditë paraburgim, njofton Klan Kosova.
Prokurori special, Sylë Hoxha, i cili po merret me këtë rast, veprën penale e ka cilësuar si hakmarrje, që dënohet me 15 vite burgim, ndërsa lartësia e dënimit mund të shkojë edhe deri në burgim të përjetshëm.
Murat Jashari, e ka pranuar edhe para gjyqtares së procedurës paraprake veprën e kryer të hënën në mëngjes.
E njëjta masë prej 30 ditë paraburgimi i është shqiptuar edhe të dyshuarit të dytë, Avni Llumnica, ndërsa për të dyshuarin e tretë, Arsim Ibrahimin, pronar i motelit Fontana në periferi të Prishtinës, gjykata ka vendosur masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.
Të lartpërmendurit dyshohet se ka kryer veprën penale, ndihmë në hakmarrje dhe ka ofruar ndihmë kryesit pas kryerjes së veprës penale, respektivisht.
Murat Jashari e Avni Llumnica, janë arrestuar të hënën në motelin e lartpërmendur, ndërsa planifikonin që të ktheheshin në Zvicër, prej ku edhe kishin ardhur së bashku në Kosovë.
Kronikë nga Dibran Istrefi