Barazimi pa gola ndaj Larnes në “Ballymena” të Irlandës së Veriut, ka krijuar gjasa të mira që Prishtina ta sigurojë kalimin në rrethin e tretë eliminator të Konferencës së Evropës.
Çdo fitore në ndeshjen e kthimit që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, do ta kualifikonte skuadrën më të trofeshme kosovare, raporton Klankosova.tv.
Me mbështetjen e “Plisave” dhe mbarë tifozëve në këtë duel, kryeqytetasit i kanë mundësitë reale për të kaluar tutje.
Edhe më të mira shanset janë për Ballkanin.
“Xhebrailat” duhet ta ruajnë avantazhin komod prej dy golave të arritur të martën, kur e mundën Florianan malteze me rezultat 4-2.
Suharekasit në të gjitha pjesëmarrjet e tyre evropiane, kanë luajtur në raundin e tretë të UEFA Europa Conference League, ku fare pranë janë edhe këtë vit ta bëjnë një gjë të tillë, njofton Klankosova.tv.
Nga ana tjetër, kampionia e Kosovës do të vazhdojë të garojë në nivele më të larta, krahasuar me UECL-në.
Dritës i duhet një mrekulli në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve ndaj Kopenhagës, pasi në Danimarkë humbi 2-0.
Eliminimi eventual do t’i dërgonte gjilanasit në gjysmëfinalen kualifikuese të Europa Ligës, aty ku e pret humbësi i duelit Steaua – Shkëndija. Këta të fundit e fituan përballjen e parë 1-0 ndaj rumunëve.
Pos këtyre katër ekipeve shqiptare, kampanjën evropiane po e menaxhojnë mirë edhe klubet nga Shqipëria, të cilët po garojnë në Konferencë.
Kampionët e Egnatias e mundën Dinamo Minskin si mysafirë 0-2, duke krijuar qetësi për duelin e kthimit në Rrogozhinë.
Jashtë fushës së tyre triumfuan edhe futbollistët e Dinamos së Tiranës. Nëndetësja e udhëhequr nga Ilir Daja, fitoi 1-2 në Andorrë ndaj Atletic Escalades, kurse me të njëjtin rezultat, fitore mori edhe Vllaznia e Shkodrës në “Loro Boriçi” kundër Vikingur Reykjavik nga Islanda.
I vetmi klub i ‘shqipeve’ që pësoi në këtë fazë, është Deçiqi i Tuzit. Ata u mundën 0-2 prej Rapidit austriak./Klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.