Lajmet e fundit

Ministria e Jashtëme e Shqipërisë ka përshëndetur vendimin e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për anëtarësimin në këtë organizatë të Kosovës.
Më anë të një njoftimi opër mediat MPJ, i ka uruar suksese Kosovës, për anëtarësimin e saj në UNESCO, ndërsa thekson se do të mbështetsë atë edhe në votimin e muajit nëntor, në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet vendimin e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për anëtarësimin në këtë organizate.
Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, vendosi t’i rekomandojë Konferencës së Përgjithshme kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në vijim te nismës së propozuar nga Shqipëria.
Republika e Shqipërisë mbështet plotësisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe i uron asaj suksese edhe në votimin që do të zhvillohet në fillim të muajit nëntor 2015, në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate.
Mbështetja e kërkesës se Kosovës për anëtarësim në UNESCO nga Këshilli Ekzekutiv është tregues i angazhimit konkret të partnerëve tanë strategjikë për ta bërë Kosovën pjesë të UNESCO-s, të kësaj agjencie të rëndësishme të OKB-së, që trajton dhe mbron vlera të veçanta të arsimit, shkencës dhe trashëgimisë kulturore ndërkombëtare.
Mbështetja e Kosovës nga Konferenca e Përgjithshme do të përbente një mesazh inkurajues për procesin e normalizimit te mëtejshëm të marrëdhënieve në rajonin tonë.
MPJ shpreh besimin se Kosova do të marrë mbështetjen e duhur edhe në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, duke qenë se Kosova përmbush të gjitha kushtet dhe ka dëshmuar njëkohësisht vullnet të plotë për të qenë një anëtare e denjë e kësaj organizate”, thuhet në njoftimin e MPJ-së./Syri