Lajmet e fundit

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në New York, zëvendëskryeministri Niko Peleshi nënshkroi në emër të Shqipërisë “Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike”, në një ceremoni të zhvilluar në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Peleshi e cilësoi atë si marrëveshje historike për të ardhmen e njerëzimit dhe nënvizoi se, Shqipëria është e angazhuar për të ndërmarrë veprime konkrete dhe koherente në dobi të minimizimit të shkaktarëve të ndryshimeve klimatike. Ai theksoi se Shqipëria gëzon një status të veçantë sa i përket emetimit - tepër të ulët - të gazrave me efekte serë, duke qenë se prodhimi i energjisë elektrike në vend kryhet tërësisht nga burimet hidrike, pa ndikim në atmosferë.
Institucionet shqiptare, në përputhje me politikat e Bashkimit Europian po përgatisin strategjinë kombëtare dhe po ndërmarrin hapat e nevojshëm në përafrimin e legjislacionit, për qasjen ndaj ndryshimeve klimatike. Kontributet e synuara kombëtare (INDC), sipas zëvendëskryeministrit Peleshi do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si dhe do të pasohen nga ulja e emetimit të karbonit, në dobi të përmbushjes së të tri përmasave të zhvillimit të qëndrueshëm në vend.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, “Marrëveshja e Klimës” u firmos nga më shumë se 170 udhëheqës botërorë./ Top Channel