Lajmet e fundit

Kërcënimet në seancat gjyqësore të nëntë imamëve vazhdojnë. Këtë herë një tjetër kërcënim i është drejtuar një prej dëshmitarëve nga familjarët e imamëve.
"Nëse e doni kaq shumë xhihadin, kishit shkuar vetë për luftë në Siri dhe jo të dërgonit babanë tim”. Iu drejtua në këtë mënyrë imamëve Adriatik Kuçi, djali i 61-vjeçarit Mustafa Kuçi, për të cilin Prokuroria dyshon se është dërguar në Siri nga të pandehurit.
I riu invalid, i cili sot dëshmoi ndaj atyre që ai i quan fajtorë për largimin e babait drejt Sirisë ka replikuar ashpër me të pandehurit, deri sa u kërcënua në sallën e gjyqit. Dëshmia e tij nxiti tensionet në sallën e gjyqit derisa të afërmit e xhihadistëve e kërcënuan: “Do të shihemi jashtë me ty”.
Për këtë arsye forcat e rendit ndërhynë, duke shoqëruar më pas për arsye sigurie Adriatik Kuçin deri në banesë.
Një seancë më parë imamët kërcënuan kryesuesen e trupit gjykues, Liljana Baku, duke iu drejtuar: “Do të vijë radha edhe ty”.
Por pa dhënë asnjë shpjegim këtë seancë trupi gjykues nuk lejoi mediat në sallë dhe pse gjyqi prej fillimit është vendosur të jetë publik.
Aktualisht ndaj imamëve të vetëshpallur janë zhvilluar 26 seanca ku dëshmitare e thirrur nga akuza këtë të martë ishte dhe Nazmie Allxhaka, e cila i quajti të akuzuarit “mjekërcjapë”.
Të vetëshpallurit imamë akuzohen për terrorizëm. Ata vepronin jashtë Komunitetit Mysliman Shqiptar në atë që njihet si xhamia e “Unazës së Re”./Shekulli.al