Lajmet e fundit

Prej më shumë se 14 orësh diskutime me akuza dhe kundër akuza, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë votuan projektligjet e rendit të ditës si dhe ato të një dite më parë. Në momentin e votimit, në sallë ishin 125 deputetë gjë që plotësoi kuorumin e nevojshëm.
Projektligji për buxhetin e vitit 2016 u miratua në parim pasi mori 84 vota pro, 41 kundër dhe 1 abstenim ndërsa të njëjtin fat nuk e kishte edhe hetimi ndërkombëtar i CEZ. Kjo pikë e rendit të ditës nuk u miratua pasi 52 ishin kundër dhe vetëm 63 pro, ndërsa një abstenoi, njofton Top Channel.
Me 85 vota pro, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjet “për akcizat”, “për taksat kombëtare”, “për sistemin e taksave vendore” dhe “për mbledhjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”
Po ashtu, me nga 85 vota Kuvendi miratoi shtesën në ligjin “për sigurimet shoqërore” dhe në atë “për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”.
Kuvendi gjithashtu miratoi me 85 vota pro ligjin“për punëkërkuesit” dhe me 79 vota atë “për trajtimin e pronës”.
Me shumicë të cilësuar u votuan Kodi i Familjes që mori 86 vota pro, Kodi Penal që mori 84 vota pro dhe Kodi i Punës 85 vota pro.
Në fund, u bë edhe votimi për anëtarët e KQZ-së, Edlira Jorgaqi, që ishte propozim i maxhorancës, dhe Klemnet Zgurit, propozim i opozitës. Pasi morën votat e mjaftueshme, ata u betuan edhe para deputetëve të Kuvendit.