Lajmet e fundit

Gati 900 burra, gra e fëmijë janë shpëtuar me anije nga bregu i Aceh në Indonezi.
Peshkatarët e kanë vërejtur grupin e parë prej 547 personash të shtunën në mëngjes derisa shumica prej tyre ishin në gjendje jo shumë të mirë fizike edhepse ishte e paqartë sa kohë kishin qëndruar në det.
Shefi i Agjencionit të Shpëtimit tha se imigrantët ishin duke udhëtuar në 6 anije afër qytetit të Lhokseumawe.
Ai gjithashtu tha se ishte edhe një anije tjetër që ishte parë të hënën e cila po transportonte diku rreth 400 persona.
“ Ne kemi dërguar ekipet e shpëtimit për të evakuar personat nga anija. Megjithatë nuk e dimë akoma se për ku ishin nisur” shtoi ai.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka dërguar ekipet për tu përkujdesur për imigrantët dhe të hulumtojë se nga kanë ardhur dhe për ku ishin drejtuar.
Zëvendës shefi i kësaj organizate tha se akoma nuk e kanë definuar se nga vijnë imigrantët por beson se janë një grup i përzier nga fisi Rohingya dhe Bangladeshi.