Lajmet e fundit

Bomba më e madhe e Luftës së Dytë Botërore, e gjetur ndonjëherë në Poloni, shpërtheu të Martën nën ujë, teksa zhytësit e marinës u përpoqën ta zbusnin.
Më shumë se 750 njerëz ishin evakuuar nga zona afër Kanalit Piast jashtë qytetit Swinoujscie ku u gjet bomba Tallboy e përdorur nga Forcat Ajrore Mbretërore të Britanisë. Ajo peshonte gati 5.400 kilogramë, dukë përfshirë 2.400 kg eksploziv.
“Procesi i shpërbërjes u kthye në shpërthim. Objekti mund të konsiderohet si i neutralizuar, nuk do të paraqesë më kërcënim”, citohet të ketë thënë togeri Grzegorz Lewandowski.
Swinoujscie përmban një terminal të gazit të lëngshëm natyror, por zëdhënësi i kryebashkiakut të qytetit i tha PAP se askush nuk u lëndua dhe se asnjë infrastrukturë nuk ishte dëmtuar.
Kanali Piast lidh Detin Baltik me lumin Oder në kufirin e Polonisë me Gjermaninë. Bomba u hodh nga RAF më 1945 në një sulm ndaj kryqëzorit gjerman Lutzow.