Lajmet e fundit

Mbrëmë në Malishevë, ka përfunduar festivali tradicional i folklorit “Oda e Llapushës”, ndërsa vendin e parë e ndanë ansamblet “Shotë Galica” nga Drenasi dhe “Ramaja”, çmim të cilin, ju dha i pari i Malishevës, Ragip Begaj.
Kurse, vendin e dytë në këtë festival ”, e kanë ndarë “Visaret e Krrabës” dhe Naim Krasniqi, ndërsa vendin e tretë Vëllezërit Kryeziu dhe Vëllezërit Bytyçi.
Po ashtu, në kuadër të festivalit janë ndarë çmime për grupin më të kompletuar, pastaj çmimi i karrierës, i publikut, çmimi “Beqir Gashi” për debutantin e festivalit si dhe çmimi i veteranit të folklorit.
Festivali “Oda e Llapushës”, mbahet në kuadër të ditëve të mërgatës në Kosovë dhe me këtë rast, Komuna e Malishevës, ka ndarë mirënjohje për mërgimtarët, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për Malishevën dhe për Kosovën, ndërsa sonte, kryetari i Malishevës, z.Ragip Begaj, ka ndarë mirënjohje edhe për familjet nga Malisheva, që kanë kontribuar në kulturën shqiptare. Mirënjohje janë ndarë për familjen e Sali e Feriz Krasniqit, për Sefë Mleqanin dhe për Nexhmije Pagarushën, emra këta që kanë lënë gjurmë dhe kanë histori në kulturën shqiptare, transmeton Klan Kosova.