Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka bërë të ditur se është bërë shmangia e rrezikut nga zjarri përgjatë një fronti prej nëntë kilometrave në Bashkinë e Tepelenës, posaçërisht në fshatin Luzat.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se aty u bë ndërhyrja e menjëhershme e forcave operacionale, ndihmuar edhe nga rreth 120 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar i Forcës Ajrore.
"Për shkak të erës së fortë flakët u përhapën në një sipërfaqe të gjerë, por koordinimi i mirë i forcave në terren dhe i banorëve të fshatit, bëri të mundur përballimin e situatës së vështirë. Puna po vijon ende, deri në izolimin e plotë të flakëve".
"Mirënjohje të gjithë efektivëve të përfshirë në aksionin për shuarjen e zjarreve, jo vetëm në këtë zonë, por kudo ku janë shfaqur problematika në territorin e vendit. Falënderim për banorët dhe forcat vullnetare që janë bashkuar në këto ditë të vështira për emergjencat civile!", thuhet në njoftim. /Klankosova.tv
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.