Lajmet e fundit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot në Shkup e promovoi programin zgjedhor, i cili, siç tha lideri i partisë Ali Ahmeti, përmban masa për katër vitet e ardhshme gjegjësisht nga viti 2016 deri më 2020.
“Programi është hartuar dhe ka përgjegjësi, jam i sigurt dhe besoj se ne mundemi ta realizojmë dhe për këtë në faqen e internetit të BDI-së dhamë mundësi të propozohen sugjerime për atë që nuk e kemi arritur. Nga ky program nuk fitojnë vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët në Maqedoni”, theksoi Ahmeti, shkruan Portalb.
Në program, tha ai, është mbledhur energjia e intelektualëve dhe ekspertëve të cilët janë të dëshmuar me punën e tyre.
Në katër vitet e ardhshme asnjë familje shqiptare të mos mbetet pa një të punësuar, është një ndër qëllimet e pjesës ekonomike nga programi, porositi shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së Bekim Neziri.
Sipas tij, në vitet e kaluara falë politikave të BDI-së, janë hapur tre zona të lira ekonomike në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë, të cilat kanë sjellur tre kompani dhe kompaninë e cila ka filluar me 800 të punësuar në Ohër, ndërsa tani hap kapacitet për 1.5000 të punësuar në Strugë.