Lajmet e fundit

Vijojnë pa rezultat kërkimet për kapjen e 30-vjeçarit Aleksandër (Esat) Dushaj, autori i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Shkami në Drishtë të Shkodrës.
Operacioni i kryesuar nga FNSH-ja e Shkodrës dhe i mbështetur nga forcat RENEA dhe policia e qytetit verior nuk është konkretizuar ende me kapjen e vrasësit të vëllezërve Skënder dhe Abdullah Shkami, përkatësisht 50 dhe 61 vjeç.
Puna vështirësohet për shkak të terrenit të thyer, por edhe errësirës gjatë natës. Kërkimet vijojnë nga ajri dhe toka, ndërsa po përdoret edhe qeni i gjurmës.
Policia dje bëri me dije se Dushaj është futur në një zonë të pyllëzuar dhe është i armatosur. Forcat e policisë janë porositur të bëjnë kujdes, pasi autori mund të hapë zjarr mbi ta.
Vrasja e dyfishtë në Drishtë të Postribës u regjistrua rreth orës 11:30 të së shtunës. Viktimat kishin dalë për vizitat e Vitit të Ri, pasi njëri prej tyre, 50-vjeçari Skënder Shkami, qe kthyer për të kaluar ndërrimin e viteve në atdhe nga Londra, ku jetonte. Ata u qëlluan me breshëri “Kallashnikovi” nga bashkëfshatari i tyre, pas një konflikti që policia e specifikon për “motive të dobëta”. Sipas bluve, autori i dyshuar kishte kërkuar me këmbëngulje vajzën e Skënder Shkamit, gjë e cila nuk qe pranuar nga ky i fundit./Shekulli.al