Lajmet e fundit

Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Klinikës Infektive dr. Lindita Ajazaj- Berisha ka njoftuar për gjendjen e pesë infermierëve të kësaj klinike që janë prekur me koronavirus.
Ajo në një konferencë për media ka njoftuar se njëra nga nga to tashmë është shëruar dhe do të lirohet sot në shtëpi, njofton Klan Kosova.
“Ne në kuadër të Klinikës Infektive kemi pesë anëtarë të stafit shëndetësor që janë të infektuar me Covid-19. Për fat të mirë, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë - dy janë në vetizolim, ndërsa tre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive”.
“Prej tyre, njëra ka rezultuar negative në dy analizat e fundit mikrobiologjike dhe sot pritet të lëshohet në shtëpi e shëruar. Gjendja shëndetësore e stafit tonë për momentin është e mirë”.
Ajazaj-Berisha ka thënë se pavarësisht të gjitha masave të marra për mbrojtje të stafit shëndetësor që punon në këtë klinikë - ku trajtohen pacientët me koronavirus - është e pamundur të shmanget infektimi i ndonjërit prej tyre.
“Kemi thënë që prej fillimit të epidemisë se edhe përkundër shfrytëzimit të të gjitha masave mbrojtëse personale, ne si staf shëndetësor që po punojmë në Klinikën Infektive në asnjë moment nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që ndonjëri nga ne të dalë me infeksion”.
“Ne po marrim krejt masat që kjo dukuri të jetë sa më e rrallë. Puna jonë prej 8 shkurtit kur kemi filluar me rastin e parë deri më sot janë bërë që dy muaj që jemi duke punuar. Ne jemi të vetëdijshëm që në çdo moment ndonjëri nga ne mund të rezultojë pozitiv”.