Lajmet e fundit

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka thënë se asnjë lloj dhune, burgosje dhe trysnie nuk do të mund ta zmbrapsë opozitën nga kërkesa për tërheqjen e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të Demarkacionit me Malin e Zi.
Në këtë intervistë për “Epokën e re” Sherifi ka thënë se opozita do të mbetet e bashkuar deri në realizimin e këtyre dy kërkesave. “Kjo qeveri sa më shpejt duhet ta kuptojë se për të vazhduar jeta normale parlamentare duhet të hiqen nga rendi i ditës këto marrëveshje. Mos harron se populli ynë reagon ngadalë, por kur reagon, reagon shumë keq”, ka thënë Sherifi.
“Pozita vetëm mund ta zhargitë këtë proces, por nuk mund ta ndalë”, është shprehur ai.
Ai me bindje të plotë e ka thënë se opozita do ta fitojë betejën që e ka nisur me Qeverinë për kundërshtimin e këtyre dy marrëveshjeve. “Mbi 200 mijë qytetarë e kanë nënshkruar peticionin kundër këtyre marrëveshjeve, kurse mbi 30 mijë qytetarë kanë marrë pjesë në protestë më 23 nëntor. Asnjë sondazh që është bërë deri më tani nuk thotë se populli i mbështet këto marrëveshje. Nëse kjo Qeveri mendon se ka forcë aq të madhe sa t’ia imponojë popullit diçka që s’është në gjendje ta pranojë, atëherë do të mbetet Qeveri pa popull”, ka deklaruar Sherifi.