Lajmet e fundit

Shërbyesit civilë të Komunës së Prishtinës kanë mbajtur grevë njëorëshe, me fillim nga ora 09:00 deri ne orën 10:00.
Afërsisht 500 punëtorë të administratës së kësaj komune po kërkojnë rritjen e koeficientet përmes Ligjit të Punës.
Aktualisht koeficienti më i lartë për shërbyesit civilë është 2.5 ndërsa ai me i ulëti është 1.45, për të cilët po kërkohet rritje për 40%.
Veç kësaj shërbyesit civilë të Komunës se Prishtinës kanë kërkuar diferencim me komunat tjera, pasi sipas tyre kanë më shume pune dhe se kanë status të veçantë, duke iu referuar Ligjit për Prishtinën.
Gjithashtu është bërë e ditur se këta shërbyes civilë kanë dërguar disa kërkesa në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal mirëpo nuk kanë marrë përgjigje.
Grevistët paralajmëruan se në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e tyre do të vazhdojnë me grevë tërëditëshe.
Greva e sotme njëorëshe ka shkaktuar tollovi dhe pritje të gjata për palët, megjithatë punëtorët e administratës kanë gjetur mirëkuptim tek qytetarët.
Ndryshe nesër shërbyesit civilë në tërë Kosovën kanë paralajmëruar grevë njëorëshe.