Lajmet e fundit

Është shënuar sot hapja e Muajit të Rinisë në Kosovë, i organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë.
Ky organizim u zhvillua në Parkun e Gërmisë, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, private dhe publike, Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC), mediat si dhe 200 të rinj.
I pari i ekzekutivit tha se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë të rinjët në forma të ndryshme.
“Ju që do të përfitoni në këtë program, shpresoj që ta shfrytëzoni si mundësi për t’u sfiduar dhe ngritur profesionalisht. Sigurohuni që të jeni aktiv gjatë kësaj kohe duke bërë pyetje vazhdimisht, dhe kontribuoni sa më shumë, sepse kështu do të merrni secili më të mirën për vetën tuaj”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti ka njoftuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do t’i ndajë 2.5 milion euro për t’i mbështetur aktivitetet e të rinjëve në Kosovë.
“Në kuadër të pakos për ringjallje, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndajë 2.5 milion euro në projektet e organizatave dhe individëve ku përfitues dhe pjesëmarrës do të jenë të rinjtë. Një pjesë e mirë e këtij fondi do t’i dedikohet projekteve që kanë për synim përfshirjen e të rinjëve në tregun e punës, trajnimeve, granteve dhe programeve për punë praktike”, ka thënë ai.
Ndërkaq në anën tjetër, këshilltarja politike për rini, Dorotea Deshishku, njoftoi se në programin “Kosovo Generation Unlimited”, këtë vit do të organizohen 13 programe.
“Kemi një agjendë me 13 programe të cilat do të realizohen gjatë gjithë muajit gusht e që do të iu dedikohen vetëm të rinjëve. Po fillojmë me punësimin sot, por do të vazhdojmë me fusha si rekreacioni, arsimi dhe shkenca, integrimi i mërgatës, vullnetarizmi, përfshirja sociale, angazhimi në komunitet, aktivizmi mjedisor dhe shëndeti mendor i të rinjëe”, ka thënë Dedishku.