Lajmet e fundit

Kanë kaluar 3 vite pasi forcat e sigurisë shpërndanë me forcën e armëve protestuesit e mbledhur në sheshet Rabia dhe Nahda në Kajro, kryeqytetin e Egjiptit, të cilët ishin mbledhur për të protestuar kundër largimit me grusht shteti të presidentit Muhammed Mursi, i cili ishte presidenti i parë i zgjedhur në rrugë demokratike në Egjipt.
Forcat e sigurisë më 14 gusht 2014 në orët e para të mëngjesit vajtën me buldozerë dhe automjete të blinduara në sheshin Rabia dhe ndërhynë ndaj kundërshtarëve të grushtit të cilët që prej 48 ditësh vazhdonin protestën e tyre paqësore. Gjatë ndërhyrjes ku u përdorën plumba të vërtetë dhe gaz lotsjellës snaiperët hapën zjarr ndaj protestuesve që falën namazin e sabahut (mëngjesit), ku si pasojë humbën jetën shumë persona.
Në të njëjtën orë edhe në sheshin Nahda në afërsi të universitetit të Kajros në perëndim të lumit Nil pati ndërhyrje e cila përfundoi shpejt për arsyen se numri i protestuesve ishte më i pakët.
Këshilli Egjiptian i të Drejtave të Njeriut në një deklaratë të bërë më 6 mars 2014 njoftoi se gjatë zbrazjes së shesheve Rabia dhe Nahda humbën jetën 632 persona nga të cilët 8 prej tyre policë. Ndërsa Organizata e Vëllazërisë Muslimane (Ihvan) njoftoi se numri i personave që humbën jetën në të gjithë vendin është 2. 600, ndërsa 7 mijë të tjerë mbetën të plagosur.
Në ndërhyrjen e përgjakshme në sheshin Rabia në mesin e të vrarëve nga snaiperët ndodhej edhe 16 vjeçarja Esma el Biltaxhi, vajza e Dr. Muhammed el-Biltaxhi, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Liri dhe Drejtësi (HAP), krahut politik të Vëllazërisë Muslimane.