Lajmet e fundit

Unë e quaj problemi i gazetës: një dekadë më parë, shkrova një ese mbi poezinë bashkëkohore, për një gazetë që do të mbetet e paemër, dhe kisha rastin të citoja një varg nga “Eliot”. Redaktori ma ktheu esenë me shumë ndryshime, ku më domethënësi prej tyre ishte që tashmë, citimi i atribuohej “poetit anglez, T.S. Eliot”. E pyeta se çfarë po përpiqej të qartësonte: A mos kish frikë se lexuesit nuk do e kuptonin që citimi vinte nga një poemë? Apo mos druhej se mos lexuesit ngatërronin Eliotin që e kishte shkruar, me – le të themi – George Eliotin, pseudonimin e autorit të “Middlemarch”? Sidoqoftë, i vura në dukje se cilësuesi anglez ishte i gabuar: Ndonëse T.S. Eliot kishte nënshtetësi britanike, ai kishte lindur në Amerikë. Më pas, redaktori më dërgoi një tjetër sugjerim: “Poeti anglez i lindur në Amerikë, T.S.Eliot”. Unë, pasi kisha humbur të gjithë durimin që kisha si një 24-vjeçar, u përgjigja duke e modifikuar kështu: “poeti, eseisti, dramaturgu, mësuesi, botuesi dhe sportelisti i bankës, i lindur në Amerikë, me nënshtetësi angleze, Thomas Stearns Eliot (1888-1965)”. Pas kësaj, redaktori më në fund e kuptoi atë që doja të thosha, dhe… e anuloi fare kontratën.
Sigurisht, edhe sot është shumë tunduese që ta zgjatësh e ta zgjatësh përshkrimin, në “brinar, që pi cigare resht, adhurues macesh dhe antisemit” – jo vetëm për të marrë revanshin tim, por edhe për të demonstruar se si funksionon, apo si nuk funksionon, kultura. Nuk mund të mos dyshoj që, nëse do të shkruaja pas një dekade – ndonëse i gjithë informacioni është lehtësisht i gjetshëm në internet – me siguri që do të më duhej të shpjegoja se çfarë është një “sportelist banke”, apo një “redaktor”, për të mos folur pastaj, se çfarë nënkuptonte një herë e një kohë të shkruaje kritika.
“Shënime për vdekjen e kulturës: Ese mbi spektaklin dhe shoqërinë”, është një libër i ri, “demaskues”, nga Mario Vargas Llosa. Apo më saktë, më duhet ta them, shkrimtari peruan që flet spanjisht, katoliku, fytyra e fundit publike ende gjallë, e “bumit” amerikano-latin, dhe fituesi në 2010 i Çmimit Nobel për Letërsinë, Mario Vargas Llosa, autor i një duzine librash të mëhershëm. Tema e këtij libri është “mungesa” që ne kemi: mungesa në kulturën e përbashkët, kontekstin e përbashkët, dhe mungesa e një kuptimi të përbashkët se çfarë do të thotë sot përemri “ne”, tani që edhe gazetat me shitje rekord kanë kapitulluar përballë kanaleve të kuruar individualisht dhe burimeve algoritmikë të lajmeve.
“Shënime…” fillon me një vëzhgim të literaturës së rënies kulturore, duke u fokusuar tek “Shënime mbi Përcaktimin e Kulturës” të Eliotit, përpara se të degjenerojë në një seri sulmesh satirikë – mbi Islamin, Internetin, dominimit e seksit mbi erotizmin dhe përhapjen e shtypit të verdhë – pjesa më e madhe e të cilëve kanë nisur si editoriale në gazetën spanjolle El Pais. E gjitha, për të thënë se manifesti ekscentrik dhe i nxituar i Vargas Llosas është i përbërë pikërisht nga materiali të cilin e kritikon: gazetaria.
Nga: Joshua Cohen, The New York Times
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.mapo.al/2015/08/shenime-per-vdekjen-e-kultures-i-vargas-lloses-cfare-hipokrizie