Lajmet e fundit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur sot në takim shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, të cilës i ka uruar punë të mbarë në detyrën e re dhe mirëseardhje në Kosovë.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin që kanë pasur në të kaluarën me Komunën e Prishtinës, të gjitha sfidat, si dhe prioritetet e Komunës.
Kryetari Ahmeti tha se do të shikojnë së bashku mundësitë për implementimin e projekteve me Komisionin Evropian për ta bërë Prishtinën një vend më të mirë.
“Ishte një takim i frytshëm dhe besoj që do të vazhdojë bashkëpunimi edhe në të ardhmen në të gjitha projektet që janë në interes të qytetarëve të Prishtinës”, tha Ahmeti, transmeton Klan Kosova.
Apostolova nënvizoi rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si një gur themel në marrëdhëniet Kosovë-BE.
“Me vendosjen e MSA-së, sfida e ardhshme është zbatimi. Pushteti lokal ka një rol të rëndësishëm në sjelljen MSA-së, më afër qytetarëve. Në këtë kontekst, ne jemi duke punuar në Agjendën Evropiane të Reformës (ERA), që është një mjet I orientuar drejt rezultatit për ti shndërruar prioritetet e MSA-së, në përfitime konkrete për popullin”, tha Apostolova.