Lajmet e fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë shkurtimin e forcave ushtarake me 40 mijë trupa gjatë dy viteve të ardhshme, sipas raportimeve të mediave amerikane.

Si pasojë e shkurtimit të forcave ushtarake vjen edhe largimi i rreth 17 mijë punonjësve civilë, si dhe deri në vitin 2017 parashikohet që numri i trupave ushtarake të shkojë në 450 mijë.
Ndërsa në vitin 2012, në kulmin e konflikteve në Irak dhe në Afganistan, ushtria amerikane kishte rreth 570 mijë trupa.
Ndërkohë, në Afganistan ndodhen ende rreth 10 mijë trupa ushtarake amerikane, pasi planet për tërheqje graduale u shtynë deri në 2016-n. SHBA thuajse i ka tërhequr të gjitha forcat e tyre ushtarake në Irak, që prej 2010-ës, kur Obama i dha fund operacioneve në këtë shtet.
Aktualisht në Irak ndodhet një personel ushtarak i përbërë nga rreth 3500 persona për të ndihmuar forcat irakiane në luftën kundër ISIS.
Nga shkurtimi i forcave ushtarake me 40 mijë trupa, personeli ushtarak i SHBA-ve do të arrijë në nivelin më të ulët që nga 1940, një vit para se Shtetet e Bashkuara të hynin në Luftën e Dytë Botërore, kur ushtria u shtua me rreth 270 mijë trupa aktivë. Ndërsa një vit para sulmeve të 11 shtatorit të 2001, niveli ishte rreth 480 mijë trupa.