Lajmet e fundit

Për dy ditë janë dyshja e pandashme diplomatike që viziton Kosovën.
Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe ndihmës sekretari i shtetit amerikan, Mathew Palmer, bashkë e mbajnë dhe konferencën për media.
Kryekëput në agjendë ata e kanë dialogun Kosovë-Serbi dhe tregimin se Brukseli e Washingtoni flasin me një zë në këtë proces.
“Sa herë që jam këtu, unë pyetem rreth bashkëpunimit mes BE-së dhe SHBA-ve. Unë them se bashkëpunimi ynë është i shkëlqyeshëm dhe nuk do të mund të ishte më i mirë. Qëllim kryesor i kësaj vizite janë përgatitjet për takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili do të zhvillohet pas disa ditësh në Bruksel”, tha Lajçak.
“SHBA-ja nuk është palë në procesin e dialogut, por ne jemi partner. Jemi të përfshirë në mënyrë aktive duke punuar edhe me Beogradin edhe me Prishtinën si dhe me ekipin e Miro Lajçakut duke i dhënë mbështetje në arritjen e ujdisë për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, tha nga ana e tij Palmer.
Sipas diplomatit amerikan, ky normalizim i plotë raportesh përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
Të shtunën presidenti i Serbisë tha se është punë e kryer, ai nuk nënshkruan njohjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës.
Palmer u pyet se si do t’i qaset Washingtoni Beogradit karshi këtij qëndrimi.
“Sa i përket qëllimit final, ne vazhdojmë të besojmë se është njohja reciproke e cila vendos këtë gjë në të kaluarën dhe hap rrugën përpara drejt integrimeve. Lloji i trysnisë mbi palët janë vetë ambiciet dhe dëshirat e tyre që të ecin në rrugëtimin drejtë BE-së. Kjo kërkon adresimin e gjithë atyre çështjeve dhe problemeve dhe kjo besoj se krijon ato stimulime që janë të domosdoshme për palët që t’i vlerësojnë sfidat, identifikojnë kompromiset që do të jenë të domosdoshme e të ecin përpara”, sqaroi ndihmës sekretari.
Por çfarë kompromise duhet të bëjë Kosova në raport me marrëveshjen finale me Serbinë?
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, në letrën e tij dërguar homologes kosovare tha se ujdia duhet të jetë e përqendruar në njohje të ndërsjellë, por se duhen kompromise të vështira.
“Nuk varet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të identifikojnë kompromiset që do të jenë të nevojshme për t’u bërë apo parametrat e negociatave. Kjo nuk i takon as mikut tim Miros. Krejt varet nga palët. Ky është një proces dialogimi që nuk udhëhiqet as nga ShBA e as nga BE, por udhëhiqet nga vetë palët” u përgjigj politikani amerikan.
Ndërkohë, Lajcak mohoi se ka thënë decidivisht se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën në raport me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Këtë gjë unë kurrë s’e kam thënë. Atë që kam deklaruar është se kur ju bëni një marrëveshje ndërkombëtare, ju duhet t’i sillni këto zotime apo ujdi po ashtu në kuadër të legjislacionit tuaj kombëtar. Unë s’e kam thënë se kjo duhet të bëhet për këtë apo për atë palë”.
Për Asociacionin, Palmer tha se duhet të themelohet ashtu siç palët u morën vesh vite përpara.