Lajmet e fundit

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, përcolli porosi të qarta në adresë të Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për portalin serb O21, ai thotë se SHBA-të janë të pakënaqura me zgjatjen e dialogut mes dy vendeve, andaj presin qasje më vendimtare nga palët.
“Të gjithë pajtohemi se duhet të ketë dialog produktiv mes Beogradit e Prishtinës, dhe se njerëzit nuk mund të vijnë në tavolinë me kërkesa e të mos jenë të gatshëm për kompromis. Çdo marrëveshje mes Beogradit e Prishtinës do të kërkojë kompromis në të dyja palët dhe duhet të ketë gatishmëri të dyanshme për të biseduar”, tha Godfrey.
Deklarata e ambasadorit është një lloj kristalizimi i qëndrimit të vetë presidentit Joe Biden.
Në letrën dërguar homologes kosovare Vjosa Osmani në muajin prill, Biden tha se Washingtoni pret që dialogu kosovar e serb të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
“Por rruga deri aty kërkon fleksibilitet e kompromise të vështira” kishte shkruar kryetari i Amerikës.
Njohësja e procesit të dialogut, Donika Emini, tha se kryeministri Albin Kurti nuk mund t’i ikë tashmë kërkesave që vijnë nga aleatët që procesi të përmbyllet e kompromisi është me domosdo.
“BE-ja dhe SHBA-të tani janë në një linjë për dialogun. Kurti nuk e ka komoditetin që e ka pasur gjatë kohës sa president i SHBA-ve ishte Trump, kur edhe disa vende evropiane i ofronin përkrahje për këtë qasje. Tash palët janë në sinkronizim dhe koordinim të plotë”, theksoi Emini, që është drejtore në Platformën “CIVIKOS”.