Lajmet e fundit

Koreja e Veriut, e cila zhvilloi testin e katërt bërthamor në janar në kundërshtim të rezolutave të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, mund të mësojë shumë nga marëveshja e arritur mes Iranit dhe fuqive botërore për të ngrirë programin e saj bërthamor. Kështu është shprehur zv.Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë kësaj të marte.
Veriu komunist, i cili kërcënon rregullisht Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut, shumë herë më të pasur dhe demokratike, kreu gjithashtu lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi gjatë shkurtit, sërish në shkelje të sanksioneve të OKB-së.
Këshilli i Sigurisë zgjeroi gjatë muajit të kaluar këto sanksione, me synimin për t’i pamundësuar Koresë së Veriut financa të mjaftueshme që do t’i shfrytëzonte në programin e saj të armatimit, bazuar mbi një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina njëkohësisht.
“Irani bëri një zgjedhje fundamentale. Republika Islamike vendosi të ngrijë, por edhe të tërhiqet nga programi i saj bërthamor, si dhe të lejonte inspektorët ndërkombëtarë të shkonin atje, të merrnin kohën dhe hapësirat e duhura për të vendosur nëse ne mund të arrinim një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha Blinken për reporterët e interesuar në Seul.
Irani dhe 6 fuqitë botërore arritën të nënshkruanin marrëveshjen bërthamore në korrik të 2015-s, gjë që i hapi rrugë lehtësimit të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor nga Teherani.
“Sigurisht që shpresojmë se, edhe Republika Demokratike Popullore e Koresë (Veriu) do të frymëzohet nga ai shembull”, tha Blinken, duke folur pas një takimi me homologët e tij japonezë dhe koreanojugorë.
Progresi i arritur në fushën diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, por edhe me Birmaninë, demonstron vullnetin e Amerikës për t’u angazhuar seriozisht me vende si Koreja e Veriut, tha më tej Blinken.